Politikë

“Një ministër ka pirë kafe fshehurazi Ramës me një të huaj”, Malaj zbulon takimin ‘sekret’

Ish-anëtari i Kryesisë së PS, Arben Malaj ka bërë një deklaratë të fortë, ku tha se një ministër ka pirë kafe fshehurazi Edi Ramës me një të huaj.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste televizive, ku foli për mënyrën se si zhvillohen kontakte të caktuara politike.

Malaj shpjegoi se në këtë rast personi i huaj nuk ishte ambasador, por pjesë e stafit të një strukture të huaj. Sipas tij, takime të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, kur është dashur të përcillet një mesazh përmes ministrave që kanë pasur akses të drejtpërdrejtë te kryeministri.

Ai theksoi se takimet me përfaqësues të huaj nuk duhet të shmangen, por nuk duhet të zhvillohen në mënyrë të fshehtë. Sipas tij, marrëdhëniet strategjike duhet të sjellin përfitime të ndërsjella, me theks te interesat e Shqipërisë për shkak të nivelit të zhvillimit ekonomik, politik dhe social të vendit.

Malaj nuk pranoi të identifikojë ministrin që, sipas tij, ka organizuar takimin, duke sqaruar se ka vendosur të mos përfshihet në debate që lidhen me emra konkretë.

“Ishte staf, jo ambassador. Edhe në kohën tonë është bërë, kur është dashur të përcillej një mesazh, ministrat që ishin afër kryeministrit uleshin. Shiko nuk duhet të kemi frikë për t’u ulur, por s’kemi pse të ulemi fshehurazi, në fund të fundit partneritetet strategjike janë me përfitim të dyanshëm, por më shumë duhet të përfitojmë ne për shkak të statusit ku ndodhet zhvillimi ekonomik, politik dhe social. Kam një kompromis me vetveten, s’merrem me emrat”, u shpreh Malaj në emisionin “Off the Record”.