Në Tiranë po përsëritet e njëjta formulë që u bë simbol me “5D Konstruksion”. Nga zyrat e Bashkisë, nëpunës të zakonshëm apo ish-zyrtarë kthehen në “investitorë” të projekteve më të shtrenjta të kryeqytetit. Modeli është i qartë: kompanitë krijohen me kapital qesharak, por marrin truall, leje ndërtimi dhe ngrenë godina që në treg shiten me miliona euro.
Këtë herë emri është Unit Residence, një kompleks banimi pranë qendrës TEG. Pas tij qëndrojnë dy shoqëri: Unit Studio shpk me kapital 5 mijë lekë dhe Unit Power shpk me kapital 10 mijë lekë. Të dyja janë të regjistruara në të njëjtën adresë dhe kanë ortakë e administratorë të njëjtë. Pra nuk kemi dy kompani të ndryshme, por një strukturë të vetme të ndarë me dy emra për të njëjtin aktivitet.
Në letra figurojnë si pronarë Aleks Male dhe Flavjo Kaco. Aleks Male është vëllai i Gjergji Male, punonjës aktiv i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Ky detaj është thelbësor: njeriu që ka akses tek lejet dhe kontrollet urbanistike shfaqet si pjesë e të njëjtit rreth që merr truallin dhe ndërton mbi të. Në këtë skemë përfshihen gjithashtu Zhivjanka Rrido, bashkëshortja farmaciste e Gjergji Male, dhe Redion Spaho, ish-punonjës i Bashkisë Tiranë.
Në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, figuron leja e ndërtimit për Unit Power shpk, që parashikon godina banimi 2 dhe 3 kate, me kate nën tokë për parkime, në Unazën Lindore, pranë TEG. Leja e ndërtimit është dhënë më 25 korrik 2025, zhvilluesi është Unit Power shpk, projekti arkitektonik nga Unit Studio shpk dhe Son Engineering & Construction, pronarët e tokës janë Daniel dhe Dritan Shima.

Në hartat publike, kompleksi shënohet si Unit Residence, me apartamente që dalin në treg mbi 2000 euro për metër katror. Nga 15 mijë lekë kapital i deklaruar, subjekti është kthyer në zhvillues të një prone me vlerë disa miliona euro.

Skema është e njëjtë me atë të “5D”: njerëz që kanë punuar brenda Bashkisë krijojnë kompani pa histori, përdorin lidhjet e tyre për të marrë truall dhe leje ndërtimi, dhe shfaqen në treg si investitorë. Nga kontrollorë të territorit, bëhen pronarë territori. Nga punonjës të administratës, kalojnë në sipërmarrës luksi.
Kjo nuk është sipërmarrje e lirë, por kapje e territorit me logjikë klienteliste. Publiku sheh kullat që ngrihen dhe çmimet që rriten, por pas tyre nuk qëndron kapital privat real, por struktura të ngritura nga njerëz që kanë hyrë në Bashki për të siguruar pikërisht këto privilegje.
Pamfleti po verifikon të gjitha hallkat e kësaj skeme dhe do të publikojë dokumentet e plota që lidhen me ndërtimin e “Unit Residence”
“Unit Residence” është vetëm shembulli i radhës se “5D” nuk ishte përjashtim, por model që vazhdon. /Pamfleti