Edlir Tetova foli pas ndeshjes Egnatia-Tirana, që bardheblutë e fituan 0 me 1. Nga ana e rrogozhinasve ka pretendime për dy penallti. Trajneri i Egnatias shpërtheu për gjykimin duke e konsideruar në favor të Tiranës, që mori 3 pikët.
“Kemi dominuar lojën, kemi qenë gjithë kohës te porta e Tiranës pa e lënë të dalë. Te rasti i golit duhet të ishim më të vëmendshëm, te ajo përplasja është çështje komunikimi. Nuk e di as vetë si është marrë ai lloj goli. Përtej pjesës teknike, kam shumë rezerva për arbitrimin. U bë ndeshja e katërt që kemi penallti dhe nuk na japin. Nuk e di çfarë duhet bërë më tepër. Çfarë duhet t’u themi djemve. Nuk është se po shfajësohem sepse ekipi po luan futboll, del para portës dhe kemi momente tona. Duhet të jetë drejtësi për të dyja skuadrat. Jo çdo prekje në zonë për lojtarët e Tiranës është faull dhe për të Egnatias vazhdon loja. Është shumë e turpshme.
Moviola në televizor? Nuk është ky theksi, por te drejtësia, efektiviteti i futbollit. Si duhet të shkojmë përpara, çfarë duhet të bëjmë më tepër që të shënomë gol. Nuk e di, nuk e kuptoj.
Ndryshimi këtë radhë ishte se Poçi u përplas me Aleksin, ishte çështje me komunikimi. Poçi përplasi Aleksin, dyfishimi i Xhemajlit ishte me vonesë. Normalisht dhe shpejtësia e Xhixhës bëri që të shënojë gol. Nuk dua të kapem me një situatë vetëm, ishim aty gjithë kohës. I vetmi rast dhe marrim gol, sigurisht të vjen keq. Unë dua drejtësi. Nuk mund të flas për anën teknike shumë, nuk ke çfarë u thua lojtarëve se kemi qenë gjithë kohës superiore. U bë ndeshja e katërt që kemi ndeshjen në dorë, dhe nuk e di pse. Për 1, 2, 3 arsye nuk duhet të ndodhë, nuk duan t’ja japin Egnatias. Besoj në Zot, atë që kam risk për ta marrë, sigurisht nuk ma heq njeri. Qoftë më i miri.
Do merremi se janë pjesë e lojës. Kemi shënuar sistematikisht, por na janë hequr golat. Kemi një bllok, të Tiranës, 20 metra. Mos të them më shkurtër akoma, në situatat 1 kundër 1 është shumë e vështirë të depërtosh. Nuk ishim agresivë te 11 metra e fundit, për të sulmuar zonën sepse dhe krosat lojtarët i çuan aty. Me kalimin e minutave bëhet çdo gjë e vështirë. Lojë efektive, nuk e di sa futboll është luajtur në pjesën e dytë, nëse është luajtur më shumë se 10 minuta, do isha i kënaqur.
Penalltia e Grudës është penallti, sido të jetë, lojtari driblohet dhe rri në vend dakord. Mund të rrinte te vija anësore, pse duhet t’i bllokonte rrugën atij? Pastaj rasti në minutën e 53-të, lojtari i Tiranës nuk merret fare me topin, i bën shtyrje nga mbrapa. Ai është për të goditur topin. Nuk e kuptojmë pse nuk ndalon loja. Ato që e kanë parë, kanë bërë gabim njerëzor për ndeshjen e katërt rresht”, u shpreh Tetova për “RTSH”.