Politikë

“Nuk duhen tubime me regji e himn” – Murrizi kritika: PD të kthejë meritokracinë dhe kontributin! Të heqë dorë nga qokat

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi u shpreh kritik ndaj selisë blu, teksa tha se do të duhet që të organizojë protesta të mirëfillta dhe revoltë dhe jo tubime me regji.

I ftuar në emisionin “Kjo javë” në News24, ai tha se Partia Demokratike ka nevojë që të rikthejë meritokracinë brenda vetes së saj. Sipas tij, pjesa më e madhe e personave në protestat e PD janë militantë të partisë dhe jo njerëz të tjerë, që janë të zhgënjyer nga qeveria.

“Unë jam kundër tubimeve me regji, valle e himn. Nuk është protestë, është miting gjysmë elektoral. Thirr qytetarët, 20 shkurt është simbolika e rrëzimit të diktatorit. Lëri demokratët të shfryjnë mllefin e tyre se po rilind një diktator i ri. 99.9% janë militantë të PD, mosha mesatare është 50 e sipër. Jam për më shumë se kaq. Jam siç bëjnë italianët, grekët e serbët.

Ne nuk kemi qytetarë të lirë, shoqëri civile të lirë. Kemi disa butakë që marrin ndonjë lekë si kockë qensh nga ambasadat. Nuk kemi se po të kemi nuk ka nevojë t’i ftojë PD fare. Në Shqipëri nuk ka organizim jashtëpartiak. Se di pse duhet të fshihen disa të PD pas gishtit. Ky është tubim, revoltë e anëtarësisë dhe militantëve të PD.”, u shpreh Murrizi, duke shtuar se më 20 shkurt, kur do të mbahet protesta e radhës e PD-së, të mbahet protestë dhe jo miting.

Kritik ishte teksa tha se PD duhet të vlerësojë kontributin e gjithësecilit në parti dhe të mbajë më të mirët. Opozita, theksoi ai, duhet të luajë fort për të ndryshuar rregullat e lojës parimore dhe jo për t’i shërbyer një grupi njerëzish.

“PD duhet të kthejë meritokracinë dhe kontributet e gjithësecilit brenda vetes. Të heqë dorë nga qokat dhe bërja me pushtet fallco të njerëzve që nuk kanë asnjë kontribut dhe që nuk ngjisin në publik. Ishin 36 veta në Tiranë, e dini se nga 160 mijë vota, 151 mijë ka marrë lista e hapur. 13 mijë ka marrë lista e mbyllur sepse rreshtoi pa votë primare dhe perceptim publik që janë njerëz me karizëm dhe futur në lista të mbyllura ata që i dhanë gaz lotsjellës demokratëve dhe s’të erdhën aty një vit në arrest shtëpie. “, shtoi ai.