“Nuk e di si jam gjallë”, flet shqiptari i plagosur në aksidentin tragjik në Rumani
Vasil Palo është shqiptari që ka humbur jetën në Rumani, pas një aksidenti tragjik rrugor ku mbetën të vdekur gjithsej shtatë tifozë ultras të PAOK-ut. Ata ishin nisur drejt Francës për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës në një ndeshje të vlefshme për Europa League.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Timișoarës, në një segment rrugor të njohur ndryshe si “autostrada e vdekjes”, për shkak të numrit të lartë të aksidenteve fatale.
Vasil Palo jetonte prej vitesh me familjen e tij në Alexandria të Imathias, në Greqi. Miq të afërt të tij tregojnë se, larg kamerave, Vasili ishte një tifoz i zjarrtë i PAOK-ut dhe ishte prezent pothuajse në çdo ndeshje të ekipit të zemrës. Edhe udhëtimi i fundit drejt Francës kishte të njëjtin qëllim: mbështetjen e skuadrës së tij.
Ndërkohë, Genci Sadiku është shqiptari tjetër emigrant i përfshirë në këtë aksident, i cili rreth orës 14:00 ka mundur të komunikojë për disa sekonda me familjen e tij përmes telefonit. “Nuk e di si jam gjallë, por jam mirë. Do të vij përsëri në shtëpi”, mësohet t’u ketë thënë ai familjarëve, sipas dëshmive të dhëna jashtë kamerave për mediat greke.