Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të mos shqyrtojë kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë.
Kreu i Partisë së Lirisë paraqiti më 2 mars 2026 një kërkesë në gjykatë për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë nga ato që parashikon Kodi i Procedurës Penale.
Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, shqyrtoi procedurën lidhur me kërkesën. Në vendimin nr. 200, të datës 6 mars 2026, gjykata e shpalli kërkesën të papranueshme.
Gjykata mori këtë vendim pasi përfaqësuesit ligjorë të kërkuesit hoqën dorë nga shqyrtimi i kërkesës së paraqitur.
“Kërkuesi Ilir Metaj me datë 02.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 112 dhe 471, pika 5 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 200, datë 06.03.2026, vendosi:
1. Deklarimin e papranueshëm të kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Ilir Metaj, regjistruar me nr. 200 regj.themeltar, datë 02.03.2026, me objekt: “Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale”, për shkak të heqjes dorë të përfaqësuesëve ligjorë të kërkuesit nga shqyrtimi i kësaj kërkese.
2. Shpenzimet gjyqësore siç janë kryer.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”-thuhet në njoftim.
Hetimet ndaj Ilir Metës janë mbyllur nga SPAK në muajin gusht dhe dosja është dërguar në gjykatë për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Këto akuza lidhen me çështje të ndryshme, përfshirë aferën CEZ-DIA dhe lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Në këtë procedim penal janë marrë të pandehur edhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatime Kryemadhi, si dhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Hetimi ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasuese mbi bazën e disa kallëzimeve penale, të cilat gjatë vitit 2024 janë bashkuar në një procedim të vetëm.
Sipas akuzës, Ilir Meta dyshohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në tre episode të ndryshme, dy prej tyre në bashkëpunim, si dhe për pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Pirro Xhixho përballet me akuzën e korrupsionit pasiv të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash.
SPAK pretendon se hetimet kanë zbuluar një skemë përfitimi financiar, ku Meta dhe Kryemadhi, duke shfrytëzuar pushtetin dhe influencën politike, kanë favorizuar biznese të caktuara në këmbim të përfitimeve monetare. Sipas Prokurorisë, episodet e dokumentuara tregojnë bashkëpunim të vazhdueshëm mes pesë të pandehurve në rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Për ndërtimin e dosjes, SPAK ka bashkëpunuar me autoritete ligjzbatuese dhe financiare në disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, San Marinon dhe Qipron.