Sport

“Nuk kemi kohë për të përgatitur ndeshjen”, Kërnaja te Partizani: Jo për barazim ndaj Elbasanit

Trajneri Oltijon Kërnaja foli para ndeshjes Partizani-Elbasani, që është edhe çerekfinalja e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Ky takim do të luhet nesër prej orës 16:30 te stadiumi “Arena e Demave”. Sfida e parë është fituar nga të kuqtë, falë një goli në transfertë.

Si duket gjendja e ekipit? Gjendja themi e mirë. Çunat janë stërvitur mirë këto dy ditë. Duke qenë se ndeshjet janë shumë afër me njëra-tjetrën, nuk është se kemi shumë kohë për të përgatitur ndeshjen. Në stërvitje janë dukur mirë, jemi munduar të rikuperojmë energjitë e humbura në ndeshjen e fundit. Shpresojmë t’ja kemi dalë sa më mirë.

A do të jenë të gjithë të gatshëm? Besoj se do jenë thuajse të gjithë të gatshëm. Të shohim sot në seancën e fundit të stërvitjes, mos kanë ndonjë shqetësim. Deri dje nuk kanë shfaqur asnjë shqetësim.

Si e shikoni ndeshjen e nesërme? Është një ndeshje shumë e vështirë. Rezultati i ndeshjes së parë na favorizon paksa, është e vështirë duke parë cilësinë e ekipit që kemi përballë. Elbasani di të sulmojë shumë. Duke parë rezultatin e ndeshjes së parë, është një ekip që do luajë gjithçka për gjithçka. Në këtë momente bëhet shumë i rrezikshëm sepse pjesën ofensive e ka shumë cilësore. Ne nuk do hymë për barazim sepse ashtu do rrezikojmë shumë. Ne duhet të sigurojmë ndeshjen, të shënojmë dhe fitojmë.

A do ia dalë Partizani në të dyja kompeticionet? Ne shikojmë ndeshjen e radhës, atë të nesërmen me Elbasanin. I gjithë fokusi është aty dhe besoj se do ia dalim.

Si e vlerësoni? Elbasani është një ekip pretendent këtë vit, është me pikë të barabarta me Egnatian në vend të tretë. Ka bërë kampionat shumë të mirë, pavarësisht barazimin në ndeshjen e fundit me Bylisin. Ka bërë kampionat jashtëzakonisht shumë të mirë, një ekip i fortë dhe cilësor, por edhe ne nuk mbetemi mbrapa. Ne jemi ekip i fortë dhe cilësor, në ndeshjet direkte jemi thuajse njëlloj. Besoj do jetë një ndeshje shumë e luftuar në të dyja kampet.

A do ketë rotacion? Ne nuk përdorim rotacion, ka ardhur natyrshëm. Nuk është se synojmë, por ka ardhur nga kartonat dhe dëmtimet. Janë ndërruar lojtarët dhe formacioni. Ka qenë mini-rotacion i natyrshëm, jo i ushtruar nga ne, por nga gjendja e lojtarëve. Nuk besoj se do ketë, por gjithsesi kushdo që do hyjë te ne jep maksimumin. Është parë në ndeshjen e fundit, të gjithë lojtarët janë njëlloj sepse te ne është grupi dhe jo individi.