Aktualitet

“Nuk lihet në tokë”, efektivi rrëfen momentin kur shkoi përballë Xhelal Mziut dhe ngriti flamurin nga toka: Nuk ishte politikë, por respekt për simbolin tonë

Efektivi Edison Mehmetaj, i njohur mbrëmien e 22 marsit, për veprimin e guximshëm gjatë protestës së Partisë Demokratike, ka folur së fundmi ku dhe ka rrëfyer momentin kur ngriti nga toka flamurin kuqezi i cili po shkelej me këmbë nga deputeti demokrat Xhelal Mziu dhe protestuesit e tjerë.

Në një intervistë, Mehmetaj i cili prej një dekade shërben në Policinë e Shtetit, ka theksuar se ky vendim nga ana e tij nuk kishte lidhje me politikën apo me ndonjë qëllim tjetër, por ishte thjesht respekt për simbolin kombëtar dhe detyrën e tij.

Për të, flamuri nuk është vetëm një simbol, por një përgjegjësi që nuk mund të lihet në tokë, një mesazh që e bën të qartë edhe për publikun, edhe për kolegët e tij.

“Të njëjtën gjë do ta bëja në çdo lloj forme, edhe nëse do isha protestues. Nuk do e lija flamurin në tokë”, theksoi ai, duke nënvizuar gjithashtu të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por paralajmëron se çdo akt dhune sjell reagim.

“Kaloi një ditë goxha e ngarkuar. E përgjithshmja ishte që kaloi mirë. Nuk pati të lënduar nga kolegët tanë. Në ato momente, ishte komplet blur sepse ne kishim edhe skafandër edhe kundërgaz, edhe nuk arrihej që të dallohej shumë. Për një moment m’u duk në tokë diçka edhe u afrova pasi pashë që ishte flamuri. Për një moment Mziu kujtoi se do agravonte situata, por unë kisha qëllimin që të merrja direkt flamurin, s’kisha qëllim tjetër.

Pjesa e flamurit faleminderit që e vlerësoni nga ana juaj, por unë do bëja detyrën edhe nëse do isha thjeshtë qytetar. Të njëjtën gjë do ta bëja në çdo lloj forme, edhe nëse do isha protestues. Nuk do e lija flamurin në tokë.

Pjesa e të protestuarit është legjitime në çdo vend të botës, por të mos bëhemi mercenarë. Sepse veprimet shkak-pasojë pastaj dihen. Në rast dhune do kundërpërgjigjemi. Nëse ti del duke duartrokitur aty, proteston, ke të drejtën tënde që të protestosh sa të duash”, ka rrëfyer efektivi.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme, gjatë protestës së Partisë Demokratike, një episod që tërhoqi vëmendje ishte ngritja e flamurit kuqezi i cili ishte hedhur në tokë mes tensionit dhe turmës së protestuesve.

Pamjet e shpërndara në rrjet treguan deputetin Xhelal Mziu duke e shkelur simbolin kombëtar, ndërkohë që në atë çast la qemë efektivi Edison Mehmetaj i cili nuk hezitoi dhe doli nga kordoni i policisë, largoi deputetin dhe mori flamurin nga toka, duke e vendosur nën uniformë, pranë zemrës.