Kronikë

Nuk takohej me djalin prej 7 muajsh, zhduket 42-vjeçari: Dyshohet se u hodh në kanionet e Osumit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e 19 shkurtit në Skrapar, ku një 42-vjeçar dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u vetëhedhur në lumë pranë vendit të njohur si “Ura e Blezënkës”, afër Kanionet e Osumit.

Në vendngjarje janë gjetur motori i tij, disa sende personale, mes tyre një cigare dhe një shishe vere të konsumuar pjesërisht dhe telefoni celular. Nga verifikimi i celularit rezultoi se viktima i kishte dërguar një mesazh të vëllait të tij në Francë, duke njoftuar se do të hidhej në lumë.

Ilir Kurti punonte si roje në një hidrocentral në këtë zonë. Ai kishte qenë i martuar me një shtetase rumune dhe kishin një djalë, por prej shtatë muajsh ishin ndarë. Ish-bashkëshortja ishte larguar drejt Rumanisë dhe që atëherë ai nuk kishte pasur më kontakte me të birin. Sipas familjarëve, ai ishte mbyllur në vetvete dhe po përjetonte dhimbjen e largimit nga djali.

Burimet policore bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet për vetëvrasje, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.