Politikë

“O Sali, o hero”, bulevardi poshtë zyrës së Ramës kthehet blu, Berisha niset nga selia për t’iu bashkuar mijëra protestuesve

Sali Berisha ka lënë selinë e Partisë Demokratike dhe është nisur drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’iu bashkuar mijëra protestuesve që kanë mbërritur sot në Tiranë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ish-kryeministri është pritur mes thirrjeve “O Sali, o hero”.

Kjo është protesta e dytë kombëtare e zhvilluar nga opozita, pas tubimit të mbajtur më 22 dhjetor. Demonstrata po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, ku opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, si dhe krijimin e një qeverie teknike që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Në kuadër të mbarëvajtjes së situatës, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie për të shmangur incidente të mundshme. Porta hyrëse e Kryeministrisë është blinduar me struktura metalike. Rreth 1350 efektivë policie janë angazhuar për ruajtjen e perimetrit të godinës.

Ndërkohë, ndryshe nga thirrjet e opozitës për bashkim, partitë e reja politike, përfshirë lëvizjet e Arlind Qorit, Adriatik Lapajt dhe Agron Shehajt, nuk i janë bashkuar kësaj proteste të organizuar nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj.