Personat mbipeshë me tension të lartë janë në rrezik më të madh për të zhvilluar demencë, paralajmëron një studim i ri.
Studiues danezë zbuluan se obeziteti dhe tension i lartë i gjakut,i njohur edhe si hipertension, rrisin rrezikun për zhvillimin e kësaj sëmundjeje dobësuese.
Studimi tregon se tension i lartë duket të jetë një faktor kryesor shtytës i këtij rreziku.
Demenca është një sfidë gjithnjë e më e madhe për shëndetin publik në mbarë botën dhe aktualisht nuk ka shërim.
Personat me demencë përjetojnë një rënie të rëndë të aftësive mendore, përfshirë kujtesën, të menduarit dhe arsyetimin.
Format më të zakonshme të demencës janë sëmundja e Alzheimerit, demenca vaskulare dhe demenca e përzier.
Sipas të dhënave, numri i personave me demencë në Mbretërinë e Bashkuar pritet të rritet në më shumë se 1.4 milionë deri në vitin 2040.
Autorja e studimit, profesoresha Ruth Frikke-Schmidt nga Spitali Universitar i Kopenhagës dhe Universiteti i Kopenhagës, tha: “Në këtë studim zbuluam se indeksi i lartë i masës trupore (BMI) dhe tensioni i lartë janë shkaqe të drejtpërdrejta të demencës.
Trajtimi dhe parandalimi i BMI-së së lartë dhe i tensionit të lartë përfaqësojnë një mundësi ende të pashfrytëzuar për parandalimin e demencës.”
Për studimin, i publikuar në The Journal of Clinical Endocrinology and Metabolism, studiuesit analizuan të dhëna nga pjesëmarrës në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kopenhagë dhe identifikuan një lidhje shkakësore mes peshës së lartë trupore dhe demencës.
Ekipi i kërkimit arriti të përcaktojë këtë lidhje të drejtpërdrejtë sepse përdori një metodë të quajtur randomizim Mendelian, e cila imiton një provë të kontrolluar.
Studiuesit zbuluan se një pjesë e madhe e rritjes së rrezikut për demencë duket se shkaktohet nga tensioni i lartë i gjakut, duke sugjeruar se parandalimi ose trajtimi i obezitetit dhe hipertensionit mund të ndihmojë në uljen e këtij rreziku.
Frikke-Schmidt tha: “Ky studim tregon se pesha e lartë trupore dhe tensioni i lartë nuk janë thjesht shenja paralajmëruese, por shkaqe të drejtpërdrejta të demencës.
Kjo i bën ato objektiva shumë të rëndësishëm dhe të arritshëm për parandalim.”
Ajo shtoi: “Ilaçet për humbje peshe janë testuar kohët e fundit për të ndaluar rënien njohëse në fazat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit, por pa ndonjë efekt pozitiv.
Një pyetje e hapur që mbetet për t’u testuar është nëse ilaçet për humbje peshe, të nisura para shfaqjes së simptomave njohëse, mund të kenë efekt mbrojtës ndaj demencës.
Të dhënat tona sugjerojnë se ndërhyrjet e hershme për humbje peshe mund të parandalojnë demencën, veçanërisht demencën e lidhur me problemet vaskulare.”