Aktualitet

Operacion kompleks për heqjen e cistit, mjekët e “Shefqet Ndroqit” i rikthejnë jetesën normale pacientit

Në Qendrën Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi” është shënuar një tjetër arritje e rëndësishme në fushën e kirurgjisë torakale.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njofton se ekipi i kirurgjisë torakale realizoi një operacion tepër kompleks për heqjen e një formacioni cistik dhe më pas riimplantimin e klavikulës me pllakë titani, një ndërhyrje që i riktheu jetesën normale pacientit.

Dr. As. Fatmir Çaushi, kirurg torakal pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, tha se bëhet fjalë për një ndërhyrje me kompleksitet goxha të lartë që për herë të parë bëhet në strukturën e këtij spitali.

“Bëhet fjalë për një tumor infagoit, në fillim ishte në qafë, po pastaj zbriste në një zonë të vështirë anatomike. Ky lokacion njihet nga të gjithë mjekët që ka probleme shumë të mëdha, sepse ka kontakt të ngushtë me arterien suplare dhe aksilare, si dhe venën suplare dhe aksislare në anën e djathtë, ndërkohë ishte shumë afër edhe me preksin brakial”, tha Çaushi.

Sipas kirurgut Çaushi, për të bërë këtë intervent kirurgjikal duhet një brigadë e specializuar me neurokirurgë, kirurg nazologë, etj.

“Kualifikimi i stafit tonë e bëri të panevojshme angazhimin e gjithë këtyre mjekëve specialistë, sepse çdo gjë u bë e mundur duke hequr njëherë një fragment të klavikulës, krijimin e kësaj hapësire ku duhej ndërhyrë dhe më pas rivendosjen e klavikukës me pllaka titani pa shkaktuar asnjë dëm te pacienti dhe heqjen e tumorit në kufi të pastër”, theksoi Çaushi, ndërsa shtoi se pacienti ka dalë nga spitali pas tre ditësh në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

“Ka një stabilitet shumë të mirë të klavikulës në anën e djathë, dhe ky pacient nuk ka nevojë të intervenohet më sepse pllaka e titanit rri gjithë jetën aty, ndërkohë pacienti vazhdon jetën njësoj si më përpara”, përfundoi Çaushi.

MSHMS i ka shprehur mirënjohjen ekipit kirurgjikal: Prof.As. Fatmir Çaushi, Dr. Shk. Ilir Skenduli, Dr. Alban Hatibi, Dr. Fahri kokiqi, Dr. Eljana Shima, Inf.Manushaqe Hoxha, Inf. Mirjeta Almeta, Inf. Valbona Bulku.