Sport

Ora e kthesës për Elbasanin! Gvozdenoviç në hall, Olberkis mungon dhe Lulaj në pikëpyetje kundër Dinamos

Elbasani synon të bëjë menjëherë kthesën në rezultate këtë fundjavë, teksa në “Elbasan Arena” do të presë skuadrën e Dinamos, në një përballje me peshë të madhe për vazhdimësinë e sezonit.

Verdheblutë janë të vetëdijshëm se vetëm fitorja i mban ata në ritmin e kryesuesve, sidomos duke parë se në katër ndeshjet e fundit kanë arritur të grumbullojnë vetëm tri pikë nga 12 të mundshme. Pikërisht kjo ecuri ka bërë që alarmi të ndizet në kampin elbasanas. Një tjetër hap fals do të kishte pasoja të drejtpërdrejta edhe në renditje, pasi një humbje ndaj Dinamos do ta zbriste Elbasanin në vendin e katërt. Për këtë arsye, kjo sfidë shihet si vendimtare, jo vetëm për pikët, por edhe për aspektin psikologjik dhe moralin e skuadrës.

ECURIA PA FITORE

Në këtë sezon, Elbasani është shfaqur si një skuadër e konsoliduar, që ka ruajtur balancat dhe ka shmangur luhatjet e mëdha. Pikërisht kjo qëndrueshmëri i ka mbajtur verdheblutë vazhdimisht në zonën e ekipeve pretendente dhe për disa javë me radhë edhe në krye të klasifikimit. Megjithatë, fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti kanë përkuar me momentin më të vështirë të Elbasanit. Verdheblutë janë katër javë radhazi pa fitore, me tre barazime dhe një humbje, periudha më e gjatë negative e skuadrës gjatë këtij sezoni. Një statistikë që nuk përputhet me pritshmëritë dhe objektivat e klubit, ndaj përballja me Dinamon shihet si mundësia ideale për të thyer këtë seri dhe për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.

SITUATA NË SKUADËR

Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, situata nuk është plotësisht e qetë, sidomos në repartin e mbrojtjes. Lajmi negativ për teknikun serb është mungesa e mbrojtësit Sigitas Olberkis, i cili do të mungojë për shkak të kartonëve, duke e lënë disi të zbuluar prapavijën. Situata komplikohet edhe më shumë nga gjendja e kapitenit Bruno Lulaj, i cili vijon fazën e rikuperimit pas dëmtimit dhe mbetet ende pikëpyetje për aktivizimin e tij. Ndonëse ka shanse reale që ta nisi si titullar sfidën.

Në këto kushte, Gvozdenoviç mund të jetë i detyruar të bëjë lëvizje taktike në mbrojtje, pasi aktualisht i vetmi mbrojtës qendre i mirëfilltë në dispozicion është Emir Azemoviç. Nëse Lulaj nuk do të rrezikohet nga minuta e parë, alternativat mbeten të kufizuara: Emiljano Musta mund të spostohet në qendër të mbrojtjes ose të sakrifikohet një mesfushor për të ruajtur ekuilibrat. Gjithsesi, në rast se kapiteni merr dritën jeshile dhe aktivizohet që nga fillimi, atëherë verdheblutë do të shmangnin lëvizjet e detyruara dhe do të ruanin skemën e zakonshme të lojës.

1111

NDESHJE PËR REAGIM

Pavarësisht momentit jo pozitiv në javët e fundit dhe problemeve në përbërje, Elbasani e sheh këtë përballje si një mundësi për të rikthyer rezultatet dhe për të korrigjuar mangësitë e evidentuara së fundmi. Përballë Dinamos, verdheblutë synojnë të aplikojnë një lojë më të ekuilibruar, duke ruajtur disiplinën taktike dhe duke minimizuar gabimet, elemente që kanë munguar në ndeshjet e fundit. Stafi teknik ka punuar gjatë gjithë javës për të përmirësuar organizimin e lojës, veçanërisht në fazën mbrojtëse dhe në tranzicion, ndërsa kërkohet më shumë efikasitet në repartin ofensiv. Objektivi mbetet i qartë: sigurimi i tri pikëve për të mos humbur kontaktin me skuadrat kryesuese dhe për të ruajtur pozicionin në zonën e sipërme të renditjes.