Aktualitet

Papërgjegjshmëria e “One Albania”/ Dje la qytetarët pa shërbim, sot nuk punon sistemi; kompania asnjë reagim

Pas ndërprerjes së rrjetit mbrëmjen e djeshme, përdoruesit e “One Albania” janë përballur sot edhe me rënien e sistemit, duke mos mundur të kryejnë rimbushje apo të aktivizojnë oferta. Pavarësisht problemeve që kanë prekur mijëra abonentë, kompania nuk ka dhënë asnjë reagim publik apo ndjesë ndaj klientëve…

Papërgjegjshmëria e kompanisë së telefonisë “One Albania” duket se nuk ka fund. Pas problemeve të shumta të raportuara ndër vite nga abonentët, një tjetër incident ka lënë mijëra qytetarë pa shërbim, ndërsa kompania nuk ka dhënë deri tani asnjë reagim publik.

Mbrëmjen e djeshme, përdorues nga zona të ndryshme të vendit raportuan ndërprerje të plotë të shërbimit celular. Për më shumë se dy orë, shumë abonentë nuk arritën të kryenin telefonata dhe nuk kishin akses në internet celular. Në disa raste telefonat shfaqnin sinjal rrjeti, por sistemi nuk lejonte asnjë formë komunikimi.

Ndërsa pritej një sqarim nga kompania, situata është përkeqësuar edhe më tej gjatë ditës së sotme. Sipas raportimeve të qytetarëve, nuk funksionon as sistemi i rimbushjeve, duke bërë që shumë përdorues të mos mund të aktivizojnë ofertat mujore apo të shtojnë kredit në numrat e tyre.

Kjo ka prekur veçanërisht abonentët që nuk kanë kontrata afatgjata dhe përdorin paketa mujore, të cilët janë përballur me pamundësinë për të përdorur shërbimet bazë të komunikimit.

Pavarësisht një situate që prek një numër të madh përdoruesish në të gjithë vendin, “One Albania” nuk ka bërë asnjë reagim publik dhe nuk ka kërkuar asnjë ndjesë ndaj klientëve të saj. Mungesa e një njoftimi zyrtar për shkakun e problemeve dhe për kohën e rikthimit të shërbimit ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë e abonentëve.

Ky nuk është rasti i parë që përdoruesit ankohen për funksionimin e rrjetit të kësaj kompanie. Në vitet e fundit janë raportuar shpesh ndërprerje të shërbimit, probleme me internetin celular dhe vështirësi në përdorimin e paketave.

Ndërkohë, në rrjetet sociale vazhdojnë reagimet e shumta të qytetarëve, të cilët kërkojnë shpjegime dhe përgjegjësi nga kompania për një shërbim për të cilin paguajnë çdo muaj. Shumë prej tyre kërkojnë transparencë për arsyet e kolapsit të sistemit dhe garanci se probleme të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen. /Pamfleti