Shefi organizativ në Partinë Demokratike, Klevis Balliu thotë se protestat e opozitës do të përshkallëzohen në kuadër të mosbindjes civile.
Balliu iu përgjigj edhe deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, që tha se në Shqipëri ka pasur vetëm dy protesta qytetare; ajo kundër armëve kimike dhe protesta e studentëve.
Në këtë pikë, Klevis Balliu, i ftuar në Klan News me gazetarin Besard Jacaj, tha se opozita dhe qytetarët nuk duhet të dëgjojnë se çfarë thotë Kryeministri, por të veprojnë.
“Kryeministri duhet të shikojë protestat në kuadër të emancipimit që kanë pasur. Ka pasur protesta të ndryshme gjatë kësaj kohe dhe sot ato protesta janë përshkallëzuar dhe po arrijnë në një moment kulminant, të cilat qartazi sot kanë kuptuar që ky njeri ka çdo plan dhe çdo projekt vetëm për mbrojtjen e parave të veta dhe të qenies së vetë dhe ka zero interes për mirëqenien dhe paratë e qytetarëve shqiptarë.
Së dyti, kabineti i tij ka ndryshuar sepse nga 2013 deri sot 70% e kabinetit të tij është në burg. Në këtë kontekst nuk ka shumë rëndësi çfarë thotë Kryeministri. Kryeministri e kishte kohën t’i kishte zgjidhur këto punë. Ka qëndruar 12 vite Kryeministër me një pushtet absolut.
Ne duhet të ndalojmë së dëgjuari dhe së foluri dhe duhet të fillojmë të veprojmë. Kujt i intereson çfarë thotë Edi Rama. Edi Rama është një hajdut, ka vjedhur shqiptarët, sot i duhet pushteti që të qëndrojnë lekët në llogarinë e tij bankare dhe ky të rrijë jashtë burgut. Kaq është misioni i Edi Ramës. Sepse 24 orë mos të jetë Edi Rama në pushtet, ai është tek 313 me shokët e vetë, për këtë s’ka asnjë diskutim, e di ai. Por kjo nuk është një gjë që duhet të bëjë të lumtur një njeri opozitar, përkundrazi, duhet të na bëjë më të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për situatën, sepse do të thotë që ky njeri luan për kokën e vetë dhe do përdorë gjithë pushtetin e vetë, gjithë kriminelët e vetë, gjithë paratë e veta për ta mbajtur këtë pushtet. Atëherë dhe ne duhet të jemi të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë për t’u përballur dhe për ta larguar atë”.
Klevis Balliu bëri të ditur se opozita është duke përgatitur protestën e radhës dhe se përshkallëzimi do të jetë i pashmangshëm.
“Jemi duke përgatitur protestën e radhës, të cilën qeveria thotë që ligji nuk na e lejon, që kërkon ta limitojë. Ne për protesta vetëm njoftojmë, dhe njoftimet nga sot e tutje janë vetëm publike, as nuk lodhemi të shkojmë të interesohemi apo interesohen ata fare tek ne. Ata kërkojnë që ne të caktojmë një shesh, sheshi jonë është Shqipëria. Kjo është mosbindja civile. Ne po përgatitemi për protestën e radhës, e cila për shkak të një mungese të përgjigjes të kësaj qeverie, përshkallëzimi i asaj proteste është i pashmangshëm. Dhe duhet përshkallëzuar çdo protestë deri sa qeveria nuk i kthen përgjigje qytetarëve”.