Amaneti i mamasë së Parashqevi Simakut u përmbush: vajza u gjet. Vëllai i këngëtares ikonike, Arben Simaku tregon për tch se të shihte buzëqeshjen e Parashqevisë ishte lajmi i jetës që i lehtësoi zemrën.
“Kjo është lumturia më e madhe e jetës sime. Edhe sikur të vdes nuk i kam më pishman gjë kësaj jete; se të paktën u realizua ajo dëshira e nënës sime.
Në janar mbush dy vite mamaja që ka vdekur. Si çdo nënë; si ajo që po kërkon fëmijën e vetë atje, ashtu edhe nëna ime. Si nënë, si prind… gjithmonë për fëmijën!
Po si nuk e njihja motrën time, kush është ai që nuk do e njihte. Unë kam jetuar vetë dy vite me të kur sa lindi fëmijën. Në një shtëpi bashkë me të, bashkë me të shoqin.”, tha ai. Vite pa e parë e kohë e gjatë që lidhjet mes tyre ishin shkëputur. Video e artistes Parashqevi duke marr ndihma sociale ishte një tronditje për familjen Simaku në Shqipëri; por tashmë që ka një strehë për të, ka dhe një mirënjohje e padurim për ta takuar. Ndërsa telefonata e parë me të, Beni rrëfen se ishte e shkurtër por që t’i dëgjonte zërin ishte si të lindte sërish.
“Dua ta falenderoj Eltonin jashtë mase nga zemra atë person. Fola me kamera. Më duket sikur linda përsëri me telefonatën…Dukej e lodhur, duhet lënë koha e saj. Ne duam vetëm nga ana morale, psikologjike, por nga ana financiare nuk është asnjë problemi. Si i thonë ‘leku shkon e vjen por njeriu mbi të gjitha’, po të jetë njeriu e bën prapë lekun. Kush është ai që nuk e pret? Ka shtëpinë e vet në Durrës, ka pjesën e vet, gjakun e vetë. Unë madje kam pasur edhe firmën si më i madhi për të firmosur në mungesë të saj.”, pohoi ai.