Rajon

Pas 40 orësh në arrati, nuk pranoi ti dorëzohet Policisë’. Beogradi publikon fotot horror të vrasjes së Faton Hajrizit

Pas më shumë se 30 orëve i fshehur, arratisja e Faton Hajrizit, përfundoi me fatalitet.

Ai u qëllua për vdekje nga Policia e Serbisë pasi ishte fshehur për orë të tëra në një komplet të braktisur të fabrikash. Aty ku rëndom, qëndronin emigrantë të cilët largoheshin për në Evropë.

Sipas informacioneve të para, Faton Hajrizi ka tentuar ta kalojë lumin ‘Drini’ dhe të arratiset në Bosnje dhe Hercegovinë. Por, ai nuk ia doli.

Njësitet e Anti-terrorizmit në Serbi arritën ta likuidojnë Hajrizin, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar në asnjë formë të dorëzohej te Policia.

Madje, sipas raportimeve, Hajrizi ka qëlluar me breshëri plumbash mbi policët serbë, të cilët shpëtuan pa lëndime vetëm falë jelekëve anti-plumbë dhe helmetave.

Ministria e Brendshme e Serbisë e shpalli në kërkim dhe ia publikoi fotografinë Faton Hajrizit vetëm pak orë përpara.

Ai u identifikua nga një pronar i një dyqani që ndodhej afër Loznicës, ku ndodhi edhe vrasja.

Pasi pronari serb e kishte njohur në fytyrë, e kishte njoftuar Policinë e Serbisë, të cilët kishin arritur ta rrethojnë.

Se është vrarë i dyshuari për vrasjen e policit serb e konfirmoi edhe ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

Fillimisht, autoritetet serbe shpallën në kërkim vëllain e Fatonit, Artan Hajrizin, meqë në vendngjarje u gjetën dokumentet e tij personale, pasaporta e Republikës së Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë.

I njëjti pas raportimeve, u lajmërua ku tha se ndodhet në Gjermani dhe se nuk ka lidhje me rastin. Për dokumentet që iu gjetën në vendin ku u krye krimi, ai akuzoi vëllain e tij, Fatonin, se ia ka vjedhur sa ishte në Gjermani.

Policia serbe sot në mëngjes e shpalli në kërkim Faton Hajrizin si të dyshuarin kryesor për vrasën e policit serb, 34-vjeçarit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e kolegut të tij, 50-vjeçarit Vjekoslav Iliq

Si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, deri tash janë arrestuar tre persona. Personi i parë i arrestuar është Mithan Haxhiq, nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit. Pra, bëhet fjalë për taksistin,

Një person tjetër është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, i cili dyshohet se i organizoi transportin Hajrizit.

“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.

Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore.

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës në Kosovë para më shumë se dy javësh. Që nga atëherë, shteti dështoi ta lokalizonte. Ashtu siç dështoi ta kapte Hajrizin teksa kishte kaluar kufirin. Kjo ishte hera e 9 që Faton Hajrizi u arratis nga burgjet e Kosovës.