Turqit kanë vendosur të heqin përfundimisht dorë nga ‘Air Albania’. Kompania e fluturimeve është në kolaps financiar dhe për shkak të kësaj situate, “Turkish Airlines” ka vendosur të shesë 49 për qind të aksioneve që zotëron aty.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat turke: “Turkish Airlines ka vendosur të shesë të gjithë aksionet e saj prej 49% në Air Albania SHPK, linjën ajrore kombëtare të Shqipërisë. Bordi i drejtorëve të THY njoftoi se zhvillimet e rëndësishme në lidhje me këtë çështje do t’u njoftohen investitorëve”.
“Turkish Airlines” ka 49% të aksioneve, MDN Investment (në pronësi të shtetasit Sinan Idrizi) ka 41 % dhe ALBcontrol ka 10% të aksioneve, megjithëse në ekstrakt dhe sistemin e QKB-së del me 1%.
Që nga viti 2018, kompania ku është aksioner edhe shteti shqiptar, “Air Albania” nuk ka asnjë pasqyrë financiare publike, me të ardhurat, shpenzimet, fitimet dhe humbjet, parashikuar në ligj.
Por vetë “Turkish Airline”, në bilancet e 9-mujorit 2023 deklaronte se borxhet rezultojnë 33 mln dollarë, 7 mln më shumë se ç’ishte borxhi total i vitit të shkuar.
Ndërkohë pak muaj më parë kompania amerikane “Gat Aircraft and Engine Leasing Limited”, me seli në Florida, ka depozituar një kallëzim penal në SPAK kundër ortakëve të “Air Albania”, përfshirë Sinan Idrizin dhe dy ortakët turq të “Turkish Airlines”, Sinan Dilek dhe Sinan Isik.
Sipas dokumenteve të depozituara, amerikanët akuzojnë “Air Albania”-n për mosrespektim të kontratës së qirasë së dy avionëve pasagjerësh të tipit “A320-200”, të cilët janë përdorur në mënyrë të paligjshme edhe pas skadimit të marrëveshjes.
Avionët me numra regjistrimi “ZA-ASM 36-76” dhe “ZA-MMK 49-34”, të marrë me qira në vitin 2023, nuk janë paguar për periudhën janar–mars 2025, çka përbën shkelje të rëndë kontraktuale.
Pasi kompania amerikane njoftoi prishjen e kontratës dhe kërkoi kthimin e avionëve, Sinan Idrizi dhe ortaku i ri Sinan Isik jo vetëm që nuk i dorëzuan, por i mbajtën peng dhe vazhduan t’i shfrytëzojnë për fluturime tregtare, duke mos paguar as detyrimet në “Euro-Control”.
Më keq akoma, për të shmangur sekuestrimin, avionët janë parkuar në Aeroportin e Stambollit që prej 6 gushtit 2025, nën mbrojtjen e “Turkish Airlines”, e cila zotëron 49% të aksioneve të kompanisë shqiptare.
Aktualisht, “Air Albania” nuk zotëron asnjë avion të vetin. Të vetmet fluturime po kryhen nga dy avionë të huazuar, një nga “Fly2Sky” dhe një tjetër nga “Dan Air”, për një rrjet shumë të kufizuar që përfshin Stambollin, Ankaranë, Bolonjën, Milanon dhe Veronën. Madje u janë hequr dhe logot.
Ndërkohë, burime nga brenda kompanisë flasin për vonesa në pagesat e punonjësve, mungesë sigurimesh dhe një gjendje të përgjithshme kolapsi të operacioneve. /Pamfleti