Sulmi i Edi Ramës ndaj RTSH-së nuk lidhet me performancën apo misionin publik të televizionit, por me truallin strategjik që ai zotëron në qendër të Tiranës. Burime brenda qeverisë flasin për një plan të mirëmenduar për mbylljen e RTSH-së, rrafshimin e godinës dhe shndërrimin e saj në shesh ndërtimi për kulla banimi dhe qendra tregtare. Skenari ndjek të njëjtën linjë të përdorur më parë me ATSH-në, institucionet kulturore, stadiumet dhe Pallatin e Kongreseve, duke konfirmuar se sulmet politike të kryeministrit paraprijnë gjithmonë tjetërsimin e pasurive publike në favor të klientëve ndërtues dhe koncesionarë.
Çdo sulm që kryeministri Edi Rama ka bërë ndaj institucioneve të shërbimeve publike, të cilat posedojnë pasuri të paluajtshme me vlera të mëdha, ka treguar se ka pasur si qëllim ofrimin e interesave përfituese private për klientët e tij ndërtues dhe koncesionarë.
Ka sinjale se për këtë interes u bë edhe sulmi ndaj Radio Televizionit Shqiptar disa ditë më parë, duke paralajmëruar mbylljen përmes ndërprerjes së fondeve dhe shkrirjes së tij, me justifikimin se nuk po përmbush misionin.
Ai deklaroi:
“RTSH është shembull i dështimit të plotë, zhytjes nga borxhi në borxh dhe na kërkojnë shtim fondesh, por nuk do t’i japim asnjë lekë. Çdo opsion duhet të jetë i hapur për fatin e RTSH-së: mbyllja, partneriteti me privatët, privatizimi apo mundësi të tjera.”
Informacione që po dalin nga burime brenda qeverisë flasin për një plan të mirëmenduar nga kryeministri Edi Rama për mbylljen e Radio Televizionit Shqiptar, rrafshimin e godinës dhe tjetërsimin e truallit në shesh ndërtimi për kulla banimi dhe qendra tregtare.
Për këtë skenar kullash është folur nën zë që para dhe pas emërimit në krye të RTSH-së të ish-drejtorit të QSUT-së, Enkeledi Joti, dhe ish-deputetit Alfred Peza, por u artikulua më hapur para dhe pas emërimit të Eni Vasilit, të cilët kishin misionin e degradimit dhe falimentimit të RTSH-së.
Tani, shtatë muaj pas emërimit të Eni Vasilit, kryeministri Edi Rama u angazhua personalisht për asgjësimin e RTSH-së, duke paralajmëruar publikisht në mbledhjen e qeverisë dhe të Grupit Parlamentar të PS-së skenarin për mbylljen e radio-televizionit publik.
Vetëm tre ditë pas këtij paralajmërimi, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi ngritjen e një televizioni publik të quajtur “Media Hub” në shërbim të parlamentit, ndërsa Ministrisë së Financave kryeministri Edi Rama i ka dhënë urdhër të mos i akordojë fonde RTSH-së.
Edi Rama mund të mos e mbyllë formalisht RTSH-në, por mund ta degdisë në një kat të ndonjërës prej kullave që do të ndërtohen mbi truallin e saj dhe pa financim buxhetor. Sipas skemës së paralajmëruar nga Pamfleti, ai do të trefishojë taksën e televizorit dhe do t’ia lërë këtë barrë publikut si financim të vetëm për RTSH-në.
Kur Edi Rama sulmon dhe paralajmëron një skenar, ai nuk tërhiqet derisa ta realizojë me çdo kosto. Kështu po ndodh edhe me skenarin për ta bërë “kurban” RTSH-në dhe për t’ia dhuruar truallin për kulla ndërtimi.
I njëjti skenar u ndoq edhe me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, e cila fillimisht u sulmua duke u quajtur “çerdhe parazitësh pa vlerë informimi”, më pas u largua nga godina, aty u vendos Ministria e Mjedisit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore, ndërsa një vit më vonë godina iu kalua në administrim Korporatës së Investimeve dhe trualli iu dha klientëve të qeverisë për ndërtimin e kompleksit qeveritar me kulla “VOID Tower”.
Godina e RTSH-së, e vendosur pranë kompleksit të kullave të oligarkëve Bashkim Ulaj dhe Idajet Ismailaj, është një nga pasuritë më të lakmuara dhe më të shtrenjta në zemër të Tiranës, e piketuar prej vitesh për t’u rrafshuar dhe për t’u ndërtuar kulla.
Të njëjtin skenar rrafshimi për kulla, Edi Rama e ka zbatuar me kinematë, bibliotekat, qendrat kulturore, Teatrin Kombëtar, Cirkun, stadiumin kombëtar, dhe po e zbaton aktualisht me Pallatin e Kongreseve, stadiumet në Durrës, Vlorë dhe Korçë, si dhe me Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” dhe fushat sportive.
Sinjalin e parë për rrafshimin e RTSH-së, Edi Rama e dha dy vite më parë, me heqjen e pronësisë së 262 mijë m² truall të Radio-Stacionit në Xhafzotaj, për ndërtimin e parkut offshore “Durana Tech”, ku 122 mijë m² prej kësaj sipërfaqeje nuk dihet ende se ku kanë përfunduar.
Burime brenda qeverisë flasin për një plan të mirëmenduar për mbylljen e RTSH-së, rrafshimin e godinës dhe shndërrimin e saj në shesh ndërtimi për kulla banimi dhe qendra tregtare. Skenari ndjek të njëjtën linjë të përdorur më parë me ATSH-në, institucionet kulturore, stadiumet dhe Pallatin e Kongreseve, duke konfirmuar se sulmet politike të kryeministrit paraprijnë gjithmonë tjetërsimin e pasurive publike në favor të klientëve ndërtues dhe koncesionarë./Pamfleti