Në mbledhje do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Partia Socialiste do të mbledhë ditën e nesërme Kryesinë e saj, në një takim që pritet të nisë në orën 09:00.
Mësohet se në mbledhje do të jetë i pranishëm edhe kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje zyrtare mbi rendin e ditës apo çështjet që pritet të diskutohen në këtë mbledhje.
Kjo mbledhje vjen pas takimit mes Ramës dhe Presidenti Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave, ku kryeministri i ka dorëzuar propozimet për ndryshimet në qeveri të enjten e javës së kaluar.
Takimi mes Ramës dhe Begajt ka zgjatur rreth 40 minuta, ndërsa Presidenca ka bërë publike detaje nga takimi.
Tashmë i takon Presidentit të Republikës që të shprehet me dekret për shkarkimin dhe emërimin e ministrave. Kreu i Qeverisë, vetëm 5 muaj pasi krijoi kabinetin qeveritar në mandatin e 4-t qeverisës, vendosi të ndryshojë 7 poste ministrore, duke përfshirë pozicionin e zv.Kryeministres, por edhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
Ndryshimet erdhën pasi Kushtetuesja la në fuqi pa një vendim, pezullimin nga detyrat qeveritare të Belinda Ballukut, e cila mbante postin e ministres së Infrastrukturës dhe zv.Kryeministres.
Ndryshimet që shkaktuan habi ishte largimi i Elisa Spiropalit dhe Piro Vëngut, megjithëse më herët Rama kishte dhënë sinjale që të dy ministrat mund të largoheshin nga Qeveria.