Pas nisjes së takimeve të Ervin Salianjit me bazën e Partisë Demokratike në Durrës, drejtuesit qendrorë të PD-së kanë reaguar duke aktivizuar një proces të gjerë analize në të gjitha degët e vendit, që synon të kuptojë dhe të adresojë arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Një udhëzim zyrtar i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, i shpërndarë më 2 dhjetor, detyron të gjitha strukturat lokale të PD-së të zhvillojnë një analizë të thelluar në çdo qendër votimi, me fokus në krahasimin historik të rezultatit, vlerësimin e faktorëve të brendshëm organizativë, si dhe përgjegjësive që çuan në përkeqësimin e mbështetjes elektorale.
Pjesë e kësaj analize do të jenë gjithashtu edhe kandidatët për deputetë dhe çdo anëtar që dëshiron të shprehë mendimin e tij.
Procesi do të udhëhiqet nga Koordinatorë të Posaçëm të caktuar nga selia qendrore, që do të mbikëqyrin zhvillimin e mbledhjeve në çdo rajon dhe do të raportojnë javë pas jave tek kryetari dhe sekretari i përgjithshëm i partisë. Çdo gjetje dhe propozim për përmirësim organizativ do të shënohet dhe do të përmblidhet në një Raport Përfundimtar që duhet dorëzuar brenda 31 janarit 2026.
Nga përmbajtja e udhëzimit kuptohet qartë se PD është në krizë të thellë strukturore, ku kërkohet të identifikohen përgjegjësit dhe dobësitë, por edhe të hapet rruga për zgjedhje të reja në degët që drejtohen nga figura të komanduar.
Ndërkohë, procesi i analizës po shoqërohet me përgatitje të heshtura për ndryshime në statut dhe riformatim të bazës, çka mund të përkthehet në një garë të brendshme për kontrollin e partisë, pas krizave të njëpasnjëshme të legjitimitetit.
Lëvizja vjen në një moment ku demokratët janë të përçarë, me bazën që po kërkon hapur përgjegjësi dhe një drejtim të ri.
Salianji ka qenë një nga figurat e para që ka thyer heshtjen pas humbjes, dhe duket se lëvizja e tij në Durrës ka detyruar selinë blu të nxitojë me një strategji që synon të parandalojë rrëshqitjen drejt shpërbërjes totale të partisë në terren.
Ajo që mbetet për t’u parë është nëse kjo analizë do të shërbejë realisht për reformim, apo do të jetë një manovër për të amortizuar presionin e pakënaqësisë dhe për të mbrojtur status quo-në në krye të PD-së. Rezultatet priten me interes, por mbi të gjitha me mosbesim nga baza.
Udhëzimi i plotë:
Nr.6, datë 2.12.2025
MBI PROCESIN E ANALIZËS SË BRENDSHME PAS ZGJEDHJEVE TË 11 MAJIT”
Në mbështetje të nenit 46 të Statutit të Partisë Demokratike, pas vendimit të Kryesisë së Partisë Demokratike të datës 3 Nëntor 2025 për fillimin e procesit të analizës së brendshme lidhur me zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, si dhe në vijim të vendimit të Kryesisë nr. 86, datë 18.11.2025 “Për hapjen e procesit të zgjedhjeve në disa Degë të PDSH”,
UDHËZOJ:
1. Në të gjitha Degët e Partisë Demokratike të nisë procesi i analizës së brendshme lidhur me Zgjedhjet e Përgjithshme të 11 Majit 2025, me fokus objektivat e mëposhtme:
a) analiza e rezultatit në çdo qendër votimi dhe krahasimi me historikun elektoral të Partisë Demokratike (2009-2025), duke evidentuar në mënyrë të plotë të gjitha rrethanat që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht në rezultat sipas çdo qendre votimi;
b) analiza e faktorëve të brendshëm organizativ në nivel seksioni, grupseksioni, dege dhe kandidatët për deputet që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht në rezultat,
c) analizë të nevojës për përmirësim të faktorëve të brendshëm organizativ-në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege, përgjegjësitë përkatëse, duke propozuar sugjerime për organet drejtuese të Partisë lidhur me nevojën e përmirësimit të organizimit të brendshëm apo ndryshimeve në Statutin e Partisë.
2. Analiza në nivel Dege drejtohet nga Kryesitë e Degës, nën përgjegjësinë e Koordinatorit të Posaçëm të Kryetarit të Partisë që udhëheq këtë proces. Me qëllim garantimin e një analizë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të drejtë, duke respektuar parimin e shmangies së konfliktit të interesit, për të udhëhequr procesin e analizës në secilin qark caktohet një apo më shumë Koordinator të Posaçëm, sipas listës dhe ndarjes në Ankesin 1 bashkëlidhur këtij udhëzimi.
3. Koordinatori i Posaçëm në nivel qarku merr menjëherë kontakt me Kryetarin dhe Sekretarin e Degës, për të caktuar mbledhjen e Kryesisë së Degës, me rend dite: “Përcaktimin e kalendarit të mbledhjeve për kryerjen e analizës”. Ai kujdeset që të gjithë anëtarët e Kryesisë të jenë njoftuar rregullisht.
4. Mbledhjet për kryerjen e analizës do të realizohen në nivel Rajoni (një apo disa grupseksione bashkë) ose në nivel grupseksioni, sipas vlerësimit që bën secila Kryesi e Partisë në nivel lokal. Kalendari i mbledhjeve i bëhet transparent çdo anëtari të Partisë Demokratike në rajonin apo grupseksionin përkatës. Në mbledhje ftohet të marrin pjesë strukturat e degës, kandidatët për deputet dhe çdo anëtar i Partisë Demokratike që aderon në atë grupseksion. Në çdo mbledhje merr pjesë detyrimisht Kryetari dhe sekretari i Degës, si dhe anëtarët e Kryesisë së Partisë që mbulojnë territorin përkatës.
5. Mbledhja e analizës drejtohet nga Koordinatori i Posaçëm, i cili siguron që secili anëtar i partisë të ketë mundësi të shpreh lirisht mendimin e tij mbi të tre objektivat e analizës të përcaktuara në pikën 1 të këtij urdhri, si dhe të respektohen parimet e funksionimit të partisë të saksionuara në nenin 9 të Statutit të Partisë. Ai kujdeset që secili mendim i shprehur të regjistrohet dhe mbahet shënim saktësisht siç është shprehur.
6. Koordinatori i Posaçëm raporton në mënyrë të përjavshme mbi ecurinë e procesit të analizës tek Kryetari Partisë dhe Sekretari i Pergjithshem. Gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tij sipas këtij udhëzimi, Koordinatori i Posaçëm mund të kërkojë që të ndihmohet nga një grup pune për secilin qark, që përbëhet nga anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, duke respektuar parimin e shmangies së konfliktit të interesit. Në rast se kërkohet, numri dhe përbërja e çdo grupi pune për secilin qark caktohet nga Sekretari i Përgjithshëm, në bashkëpunim me Kryetarin e Këshillit Kombëtar.
7. Në përfundim të të gjitha mbledhjeve sipas pikës 4 të këtij udhëzimi, përpara hartimit të Raportit të Analizës për secilën degë dhe në nivel qarku, Koordinatori i Posacēm analizon gjetjet në një mbledhje të posaçme të Kryesisë së Partisë në secilën Degë brenda qarkut që mbulon. Pasi ka diskutuar gjetjet edhe me Kryesinë e Partisë, Koordinatori i Posaçëm harton Raportin Përfundimtar të Analizës, të cilin ja njofton Kryetarit së Partisë dhe Kryesisë së PDSH, brenda dates 31,01,2026. COM
8. Kryesia e PDSH mert në shqyrtim te gjitha Raportet e Analizës për secilin qark, dhe analizon nevojën për përmirësim të faktorëve të brendshëm organizativ -në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege, apo struktura qendrore të Partisë, përgjegjësitë përkatëse, duke propozuar sugjerime për organet drejtuese të Partisë lidhur me nevojën e përmirësimit të organizimit të brendshëm apo ndryshimeve në Statutin e Partisë.
9. Për degët e Partisë që janë përfshirë në procesin zgjedhor sipas vendimit nr. 86, datë 18.11.2025, procesi i analizës do të kryhet sëbashku me proceset statutore zgjedhore. Për këtë arsye, sipas udhëzimeve të KOKOE ata ndjekin edhe procesin zgjedhor në Degët përkatëse që përfshihen brenda qarkut ku janë caktuar përgjegjës, duke ndjekur zbatimin e udhëzimit nr. 5, datë 25.11.2025 të Sekretarit të Përgjithshëm “Mbi mbajtjen e zgjedhjeve në Degët e Partisë Demokratike me Drejtues të komanduar”.
10. Ngarkohet Sekretariati Organizativ, të gjitha Degët e Partisë Demokratike, si dhe Koordinatorët e Posaçëm, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij udhëzimi.
11. Ngarkohet Sekretariati Organizativ i Partisë për njoftimin e këtij udhëzimi të gjitha Degëve të Partisë, si dhe Sekretarët e Degëve për njoftimin e të gjithë anëtarëve të Kryesisë së Degëve dhe Kryetarëve të Grupseksioneve.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.