Pagesat prej 1.4 milionë euro e PD për Chris LaCivita pritet të kalojë në sitën e KQZ dhe të SPAK.
Dy ditë më parë u zbulua shifra e majme që kanë paguar Sali Berisha dhe Fatmir Meidu për strategun amerikan të fushatave. Pagesa u mbajt sekret deri në momentin e fundit dhe bëhet fjalë për shifra vërtet të mëdha.
Sipas raportit financiar të dorëzuar në KQZ, PD ka paguar 1.4 milionë euro për Chris LaCivita, së bashku me ekipin e tij, të përbërë nga ish-fushatuesi tjetër Paul Manafort dhe Sterëart Jackson. Nga ana tjetër, kjo faturë e PD i bashkëngjitet kontratës së lobimit në SHBA për heqjen e non-gratës së Sali Berishës. Në pak muaj në fushatë, vetëm për dy kontrata, PD shpenzoi 7.4 milionë dollarë.
Aktualisht SPAK ka nisur një hetim për kontratën e lobimit të PD. Mësohet se SPAK ka dërguar letër-porosi edhe në SHBA. Por sipas burimeve, kontrata e pagesës për LaCivita pritet t’i bashkangjitet dosjes. Mësohet se Prokuroria e Posaçme pritet që shumë shpejt të tërheqë nga KQZ dokumentin e shpenzimev e të dorëzuar nga PD.
Ndërkohë vetë KQZ pritet të nis një auditim për të gjitha raportet financiare, përfshirë dhe atë të PD dhe nëse konstatohen shkelje do të ketë referim në prokurori.
“Është ende herët për të komentuar se sa e si kanë shpenzuar partitë politike në fushatë. Duhet analizë, ne do të bëjmë auditim në KQZ për të parë se si janë shpenzuar këto para dhe për më tepër edhe financimin e partive politike”, u shpreh kreu i KQZ, Ilirjan Ceibashi sot.