Në sfondin e një klime të tensionuar dhe me Bashkinë e Tiranës pa kryetar pas arrestimit të Erion Veliajt, kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë nesër paradite drejtuesit kryesorë të qytetit dhe deputetët e qarkut për një raportim të detajuar mbi problematikat në terren.
Takimi, i planifikuar për orën 08:30 në një hotel në qendër të kryeqytetit, do të ndjekë modelin e mbledhjeve të javëve të fundit, ku çdo grupim deputetësh dhe zyrtarësh vendorë raportojnë për çfarë kanë gjetur në zonat ku janë shpërndarë me detyrë.
Ndërkohë, në të gjithë vendin ka nisur një ofensivë e organizuar për lirimin e hapësirave publike. Aksioni në Theth, i shoqëruar me shembje objektesh, ka ngjallur debat për mënyrën si po vepron qeveria në emër të “shëndetësimit të territorit”. Shumëkush pyet se përse u kujtua tani Rama? Shkak janë padyshim zgjedhjet, pasi Rama priti t’u merrte votën shqiptarëve dhe tani po i ‘ndëshkon’.
Por Tirana duket pak më ndryshe. Rama i nxori në terren deputetët dhe drejtuesit e bashkive dhe nesër ata do të raportojnë të gjitha gjetjet në zonat që u lanë në ngarkim. Padyshim shumë biznese u trembën dhe i hoqën çadrat apo objektet që zinin hapësirën e përbashkët. Po ashtu janë liruar dhe disa vende parkimi, por një pjesë shumë e madhe vijon të “rezistojë”.
Si duket, pas takimit të nesërm, sinjalet janë se më pas do të nisin gjobat dhe lirimet me forcë, pra njësoj si në Theth. Deputetët pritet të shkojnë me listë zonash dhe biznesesh që kanë zaptuar hapësirat.
Nga ana tjetër, ky aksion shihet si një veprim para asaj që do të vijë në shtator, pasi ka zëra se Rama mund të shkarkojë Veliajn dhe ta çojë bashkinë në zgjedhje, edhe pse ha debat se sa e ligjshme do të jetë.