Sport

Pas Vllaznisë e pëson edhe Tirana, FIFA godet bardheblutë në momentin më delikat të sezonit

FIFA ka vendosur të bllokojë klubin e Tiranës për regjistrimin e lojtarëve të rinj, një masë që rezulton të jetë në fuqi që prej datës 3 mars. Në shumicën e rasteve, vendime të tilla lidhen me detyrime financiare të papaguara ndaj ish-lojtarëve, të cilët zgjedhin ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore.

Ky zhvillim vjen në një moment delikat për bardheblutë. Tirana aktualisht renditet në vendin e parafundit në kampionat dhe po lufton për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Megjithatë, merkato e dimrit tashmë është mbyllur dhe klubi ka arritur të afrojë lojtarët që kishte në plan gjatë kësaj periudhe.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi tashmë është e fokusuar tërësisht te kampionati. Në javën e ardhshme të Superiores, Tirana do të presë Elbasanin në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një përballje të rëndësishme për objektivin e mbijetesës.

Në listën e klubeve të bllokuara nga FIFA figuron edhe Vllaznia. Për klubin shkodran kjo nuk është një situatë e panjohur, pasi edhe në të kaluarën është përballur me masa të ngjashme. Problemet zakonisht lidhen me çështje financiare dhe detyrime të papaguara ndaj ish-lojtarëve.

Një rast i ngjashëm u regjistrua edhe gjatë merkatos së dimrit. Në atë periudhë, drejtuesit e klubit arritën ta zhbllokojnë përkohësisht situatën, duke bërë të mundur afrimin në formë huazimi të sulmuesit Kevin Dodaj.

Pavarësisht zhvillimeve jashtë fushës, Vllaznia po kalon një moment pozitiv në aspektin sportiv. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini kryeson aktualisht renditjen e kampionatit, me pesë pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Elbasani dhe Egnatia.

Në javën e ardhshme të kampionatit, Vllaznia do të luajë në transfertë ndaj Flamurtarit. Takimi është planifikuar të zhvillohet në Vlorë të dielën, më 8 mars, duke nisur nga ora 18:00.