Pas shkarkimit të Skerdi Drenovës, në krye të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë (UKT) është emëruar Flauers Shoshi. Deri më sot ai njihej si kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, por tani merr timonin e një institucioni për të cilin qytetarët kanë patur shumë ankesa për të.
E teksa Vlora po thahej për ujë prej ditësh në fund të 2025, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Flauers Shoshi, që sot do të mbajë postin e drejtuesit të UKT, u paraqit para qytetarëve vlonjatë duke deklaruar se dhe ai vetë ka mbetur pa larë.
E këto fjalë e prekën në zemër kryeministrin i cili mesa duket e ka shpërblyer me këtë post në Tiranë. Pas protestave të vlonjatëve, Rama bëri fajtor tubat e 2019 dhe jo papërgjegjshmërinë e institucioneve kyçe, përfshirë dhe AKUK që deri dje drejtohej nga Shoshi, që lanë tubat të degradohen prej vitesh.
Deri sa ishte në krye të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve Shoshi e degradoi këtë institucion. Shoshi ka tenderuar në përmirësimin e ujësjellësit të Vlorës miliona e miliona euro, por rezultatet u panë mjaft qartë, Vlora mbeti për festa pa ujë, vlonjatët pa u larë!
Por pavarësisht këtyre dhe faktit që Shoshi ka kryer procedurat prokuruese për Eco-Parkun që është nën hetim nga SPAK, Partia në pushtet emëroi Flauers Shoshin në krye të UKT! Në fund duket se në Shqipëri uji mund të mungojë me ditë, por shpërblimet për dështimin rrjedhin gjithmonë pa ndërprerje.