Politikë

“PD ka marrë tatëpjetën”, Dashamir Shehi: Me Bashën u morën më shumë vota

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, ka deklaruar se Partia Demokratike ndodhet në një tendencë rënëse dhe nuk është më e mjaftueshme për të fituar zgjedhjet, pavarësisht se mbetet forca më e madhe brenda opozitës.

I ftuar në emisionin “A2 CNN”, Shehi u shpreh se shifrat elektorale flasin qartë për rënien e PD-së ndër vite. Sipas tij, opozita ka humbur terren edhe në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.

Grupi opozitar ka një parti të madhe, që është Partia Demokratike, por është e pamjaftueshme për të fituar zgjedhjet. Për më tepër, është në tendencë rënie. Me zotin Basha morëm 650 mijë vota, ndërsa me zotin Berisha janë marrë 480 mijë vota”, deklaroi Shehi.

Ai theksoi se këto shifra tregojnë se energjia pozitive dhe rritja brenda opozitës nuk ndodhen më te strukturat tradicionale të PD-së, por te grupimet e reja dhe alternativat që po përpiqen të ndërtohen.

Sipas Shehit, nëse Partia Demokratike do të ishte në gjendje ta fitonte e vetme betejën politike, nuk do të kishte nevojë për aleatë apo për forca të tjera opozitare. “Nëse PD-ja është e zonja vetë, e marrin vetë në dorë këtë punë. Nuk ka nevojë për ne”, u shpreh ai.

Duke analizuar situatën politike, Shehi u ndal edhe te ngërçi i opozitës përballë një qeverie që, sipas tij, është ndër më të korruptuarat që ka pasur vendi, por që megjithatë vijon të qëndrojë në pushtet.

Pse në vend që të shkojmë përpara, vijmë mbrapsht? Asnjë qeveri nuk ikën vetë. Duhet të krijojmë kushte që opozita të marrë maksimumin e asaj që unë besoj se është një humus i madh opozitar, por që sot nuk përfaqësohet”, tha Shehi.

Ai shtoi se PD-ja përfaqëson vetëm një pjesë të këtij elektorati, ndërsa pjesa tjetër po kërkon zëra të rinj dhe alternativa të ndryshme politike. Sipas tij, këtu qëndron edhe shpresa për një dinamikë të re brenda frontit opozitar.

Ka grupe të reja, janë në rritje. Ndoshta do të dalin edhe të tjerë. Këtu e shoh shpresën, te ata që mendojnë ndryshe dhe po përballen. Besoj se një pjesë e qytetarëve do t’i ndjekin”, përfundoi Shehi.