Politikë

“PD mori më shumë vota kur ishte në burg”/ Salianji i përgjigjet Berishës: Justifikimet nuk të çojnë në fitore!

Deputeti Ervin Salianji ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, sipas së cilës PD ka marrë më shumë vota në periudhën kur Salianji ndodhej në burg.

Në përgjigjen e tij, Salianji theksoi se rruga drejt fitores kalon përmes analizës së rasteve konkrete ku Partia Demokratike ka arritur të rikthejë bashki dhe zona të humbura më herët, duke e cilësuar këtë proces si të domosdoshëm për të kuptuar se çfarë funksionon realisht në terren.

Sipas Salianjit, fitoret në bashki dhe zona të caktuara nuk janë rastësore, por rezultat i përfaqësimit dhe organizimit të duhur.

Ai përmendi si shembuj Kavajën, Krujën, Tropojën, Hasin, Kukësin dhe Mirditën, zona që sipas tij ishin humbur në vitin 2023, por më pas janë rifituar.

“Partia Demokratike duhet të bëjë analizën e fitores. Aty ku ka fituar në 7 zona, ta marrim këtë model dhe të shohim: si kemi fituar ne në këto zona,” u shpreh Salianji në studion e “Real Story”.

“Së pari, njëherë është e shtruar një rrugë të fitosh kur je në humbje. Pra, të rikthesh një bashki dhe pa diskutim që angazhimi aty i kryetarit të bashkisë, i ish-kryetarit të partisë dhe gjithë strukturës që u ngrit dhe u bë fituese pa diskutim, pastaj, që se kjo tregon edhe bën një element tjetër që është i domosodoshëm për t’u diskutuar. Si ka mundësi që duke nisur që nga Kavaja, Kruja, Tropoja, që u fitua, që ishte humbur që në 2023, Hasi, Kukësi dhe Mirdita apo zonat tjera u fituan. Pra, do të thotë që nëse gjenden përfaqësuesit e duhur…se këtë kam thënë që duket paradoks, po në fakt, Partia Demokratike duhet të bëjë analizën e fitores. Aty ku ka fituar 7 zona, ta marrim këtë model, si kemi fituar ne në këto zona.

Fakti që takimet janë më të mëdha që kam zhvilluar unë në të njëjtat zona që ka zhvilluar edhe kryetari i partisë, do të thotë që njerëzit kanë një motivim më shumë për të ardhur këtu apo jo, minimalisht. PD jo vetëm që nuk po bën analizë, por po përpiqet që të bindë të gjithë shqiptarët që ne nuk fitojmë zgjedhjet, ose që Edi Rama na vjedh, por kjo nuk është analizë. Nuk ka qytetar shqiptar sot, demokrat që nuk e di që Edi Rama përdor instrumente të caktuar për të deformuar vullnetin e zgjedhësve. Si e zgjidhim ne?!

Të jemi si Rama?!Jo duhet të jemi ndryshe. Partitë e vogla morën 200 mijë vota, janë vota që i kanë munguar PD-së. Nuk kemi përfaqësim të rinjsh. Që të shërosh një sëmundje, duhet që ta pranosh fillimisht. Ka një problem PD në qendrat urbane apo jo? E kuptoj që ka përfshirje të krimit, parasë, pushtetit, po në zona të caktuara. Pse humbim në zona të caktuara, në mes të Tiranës?! Sepse ka njerëz që nuk dalin të votojnë. Si ti motivojmë ne këta?”, tha ai.

Salianji kritikoi drejtimin aktual të PD-së për mungesë analize të thelluar dhe për fokusim, sipas tij, vetëm te justifikimi i humbjeve.

“PD jo vetëm që nuk po bën analizë, por po përpiqet të bindë të gjithë shqiptarët se ne nuk fitojmë zgjedhjet, ose se Edi Rama na vjedh. Por kjo nuk është analizë,” deklaroi ai.Ai shtoi se është e njohur për çdo qytetar dhe demokrat se kryeministri Edi Rama, sipas opozitës, përdor instrumente për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, por pyetja kryesore mbetet se si duhet të reagojë opozita përballë kësaj situate.

“Si e zgjidhim ne këtë? Të jemi si Rama?!” u shpreh Salianji, duke vënë theksin te nevoja për një qasje ndryshe politike.
Pretendimi për mbështetje në terren

Në deklaratën e tij, Salianji pohoi gjithashtu se në disa zona, takimet e zhvilluara prej tij kanë pasur pjesëmarrje më të madhe krahasuar me ato të kryetarit të partisë, çka sipas tij tregon një nivel më të lartë motivimi të qytetarëve.

Ky pretendim u paraqit si argument për nevojën e rishikimit të mënyrës se si PD zgjedh përfaqësuesit dhe ndërton marrëdhënien me bazën elektorale.