Politikë

“PD po shkon drejt humbjes”, Salianji: Kam zhvilluar takime më të mëdha sesa Berisha

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ngritur kritika të drejtpërdrejta ndaj mënyrës si po funksionon opozita, duke vënë në dyshim aftësinë e saj për të ardhur në pushtet.

Sipas tij, problemi kryesor lidhet me mungesën e një dallimi të qartë nga qeveria. “Nëse nuk krijojmë epërsi morale dhe nuk jemi ndryshe nga qeveria, e kemi shumë të vështirë të fitojmë”, u shpreh ai në A2CNN.

Ai theksoi se brenda Partisë Demokratike mungon përballja reale me problemet. Në vend të debatit, sipas tij, shmangen çështjet thelbësore: “Askush nuk merret me ato që unë them. Diskutimi zhvendoset te ‘vetëpërjashtimi’, ndërkohë që problemet mbeten”. 

Në analizën e tij, kjo situatë përbën një kthim pas për partinë. “Ne nuk mund të shkojmë në regres, kur shoqëria kërkon të ecë përpara”, deklaroi Salianji, duke nënvizuar se demokratët kanë nevojë për një forcë politike që ofron alternativë reale qeverisëse.

Deputeti drejtoi akuza edhe ndaj mazhorancës, duke e lidhur këtë me mungesën e besimit publik: “Kur ligjet ndryshohen sipas interesit, krijohen dy standarde dhe mosbarazi para ligjit”.

Salianji paralajmëroi gjithashtu për deformim të brendshëm të partisë, duke e lidhur me interesa individuale: “Partia rrezikon të kthehet në një strukturë që përdoret për interesa personale, jo për interes publik”.

Ai solli edhe një krahasim me aktivitetin e tij në terren, duke lënë të kuptohet për mbështetje më të gjerë nga baza.

“Takimet që kam zhvilluar me demokratët kanë qenë më të mëdha se ato të kryetarit të partisë”, u shpreh Slianji.