Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares, Arjan Peço, ka komentuar largimin e Adrian Bajramit nga Shqipëria drejt Zvicrës. Peço, i cili ka një karrierë të suksesshme edhe si trajner në futbollin zviceran, ka analizuar situatën e krijuar, duke theksuar se kjo gjë duhej lënë pas krahëve, edhe pse ka keqardhje që ka ndodhur.
“Në Zvicër nuk është se u fol shumë, nuk është se ka shumë zhurmë në shtypin zviceran. Është e drejta e tij të zgjedhë, padyshim ne nuk na vjen mirë. Por duhet të jemi të sinqertë dhe të themi që ka kohë që është në xhiron e ekipit dhe do të ishte shumë mirë sot për të gjithë ne që të luante disa minuta dhe të ishte pjesë e ekipit kombëtar. Ai është i talentuar, ka bërë 7 vite akademinë te Benfika, një nga akademitë më të mira në Europë. Është kthyer te Lucerna, titullar, me shumë perspektive.
Nga ajo që kam dëgjuar, drejtori teknik ka thënë që është me të ardhme. I kemi dhënë një perspektivë sportive dhe e ka pranuar. Nuk është pjese e ekipit A të Zvicrës me Kosovën, por ai ka folur me trajnerin Jakin dhe drejtorin dhe i kanë dhënë për zhvillimin sportiv. Por jo që të jetë titullar me Zvicrën.
Në ndeshjet e mëparshme Silvinjo ka thënë që është i surprizuar pozitivisht nga Bajrami, ishte gati të debutonte, nuk debutoi. Por tani ai mbeti te Zvicra dhe sipas meje duhet mbyllur kjo çështje. Ne kemi marrë fryte nga këto gjëra, tani që ndodh e kundërta, nuk na vjen mirë”, tha për TV Klan Peço.