Politikë

“Pengmarrës të opozitës”, Kokalari shpërthen ndaj Nokës dhe Berishës: Shfrytëzuat PD për interesa personale

Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka reaguar sërish ndaj deklaratave të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, duke thelluar përplasjen brenda kësaj force politike.

Reagimi i saj vjen pasi Noka deklaroi se opozita ndodhet nën sulm nga të majtët dhe se figura të caktuara, përfshirë Kokalarin, po përdoren për të goditur opozitën. Ajo e kundërshton këtë qëndrim dhe vë në dyshim vetë përkufizimin e opozitës brenda Partisë Demokratike.

Kokalari akuzon drejtimin aktual të PD-së dhe mbështetësit e Sali Berishës se nuk përfaqësojnë opozitën reale, por, sipas saj, e kanë kontrolluar dhe përdorur atë për interesa personale.

“Opozita jemi ne, që po luftojmë pengmarrësit komunistë të një partie që duhet të ishte thellësisht anti-komuniste dhe që ju e keni shfrytëzuar për interesa personale”, theksoi aktivistja.

Gjithashtu, ka shprehur synimin për të garuar për drejtimin e Partisë Demokratike, megjithëse mbetet e paqartë nëse kandidatura e saj do të pranohet, pasi nuk figuron në listat e anëtarësisë së partisë, një qëndrim i artikuluar më herët edhe nga Flamur Noka.

“Flamur Nokën e pyetën mbrëmë pse mediat e majta po u japin platformë kandidatëve që garojnë kundër Berishës.

Noka u përgjigj se opozita është nën sulm nga të majtët dhe se po përdorin figura si unë për të luftuar opozitën.

Meqenëse tashmë e dimë që Flamur Noka ka intelektin e një gjinkalle, më lejoni t’ia shpjegoj publikisht:

Nëse këto media “të majta” po sulmojnë opozitën e Berishës, atëherë kjo nënkupton që Berisha është i djathtë — gjë që nuk është.

Nëse ky grup po sulmon “opozitën” e Berishës, atëherë kjo do të thotë që ju jeni opozita — por opozita nuk jeni.

Ju jeni ata që e keni marrë peng opozitën.

Opozita jemi ne, që po luftojmë pengmarrësit komunistë të një partie që duhet të ishte thellësisht anti-komuniste — dhe që ju e keni shfrytëzuar për interesa personale.

Mediat nuk po luftojnë opozitën — ato thjesht po reflektojnë realitetin.

Pyetja që lind është e thjeshtë:

Si ka mundësi që vetëm Syri TV nuk ka raportuar as minimalisht për kandidaturën time?”, shkruan Kokalari në rrjetet sociale.