Dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe po udhëtonin nga Delvina në drejtim të Sarandës, kur 23-vjeçari Kevin Nora u doli përballë në korsinë e tyre dhe u përplasën ‘kokë më kokë’, duke u marrë edhe jetën.
Aksidenti rezultoi fatal për dy motrat, të cilat humbën jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pasagjerja 24-vjeçare Antonela Zhupa është jashtë rrezikut për jetën.
I riu Kevin Nora, specialist në Ministrinë e Brendshme, po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës me një mjet tip Audi kur u përfshi në aksidentin e rëndë në aksin Delvinë-Sarandë mbrëmjen e 24 gushtit.
23-vjeçari ka rezultuar i dehur në timon dhe për këtë arsye blutë e qytetit bregdetar tashmë e kanë vënë në pranga dhe akuzohet për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Policia e Sarandës informoi se testi i parë i alkoolit rezultoi në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi Policia e Sarandës.
Burime eksluzive për Skrapari News nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë bëjnë me dije se do të fillojë diskutimi rreth testit të drogës për të gjithe efektivët e Policisë dhe për specialistët e nivelit të lartë.