Shteti dhe media e kishin harruar këngëtaren, duke mos ia përmendur as emrin, por kanë promovuar dhe dekoruar me titull “Mjeshër i Madh”, u kanë dhënë banesa, pensione të posaçme, sponsorizime, licenca, toka e plazhe si investitorë strategjikë komikëve banalë, çingijeve të ekraneve, bejtexhinjve që këndojnë në fushata, inaugurime rrugësh e tunelesh dhe tallava nëpër dasma e mejhane…
Vazhdon perverseti i llumit të medias, kulturës, artit e çorbaxhinjve të rrjeteve sociale, pas një videoje ku personazh ishte këngëtarja Parashqevi Simaku, filmuar në përditshmërinë e saj fatkeqe, por dinjitoze për të përballuar jetën.
Krejtësisht në hallet e saj në Amerikë e pa ansjë dëm ndaj aksujt në Shqipëri, këngëtarja Parashqevi Simaku u bë objekt sulmesh, vreri e denigrimi nga të degraduarit këtu.
Këta nuk po pushojnë, duke ia nisur biografinë qysh nga fëmijëria dhe adoleshënca e saj në Kavajë, madje duke e quajtur të sëmurë mendërisht.
Lehjet e gazetarëve langoj të oborreve qeveritare e politike, të koopeve të atyre me emra e pa emra në rrjetet sociale, dhe të disa dështakëve e smirëzinjve ish-bashkohës të muzikës me Parashqei Simakun, nuk kanë arritur të krijojnë opinion denigrues ndaj këngëtares, as në këtë situatë që ajo ndodhet.
Por është perversitet i disa mediave, që i kanë dhënë hapësirë pa kufi e bombardim intensiv, baltosjes së Parashqevi Simakut, me deklarimet e komentet perverse, sikur u dhimbset e sikur duan ta ndihmojnë me tellallizmat e tyre.
Në fakt, deri ditën që ylli muzikës e bukurisë femërore, u bë tabelë e gjykimit popullor; ajo, megjithëse në nevojë reale ekonomike prej shumë vitesh e në vetmi, nuk i kërkoi ndihmë as mediave, as fondacioneve e as të afërmve të saj në Shqipëri.
Në 30 vite, Parashqevia nuk i kërkoi asgjë, as oligarkëve, pronarëve kullaxhinj, delenxhinj e zvarranikë të mediave, ministrave hajdutë, deputetëve tenderxhinj, kryeministrave miliarderë, kryetarëve të kuvendit dhe presidentëve të Shqipërisë.
Sepse, ajo dinte që shteti dhe media e kishin harruar, duke mos ia përmendur as emrin, ndërkohë që kanë promovuar dhe dekoruar me titull “Mjeshër i Madh”, u kanë dhënë banesa, pensione të posaçme, sponsorizime, licenca, toka e plazhe si investitorë strategjikë komikëve banalë, çingijeve të ekraneve, bejtexhinjve që këndojnë në fushata, inaugurime rrugësh e tunelesh dhe tallava nëpër dasma e mejhane.
Pra, megjthëse Parashqevia nuk ka marrë as 1 qindarkë nga shteti e nga askush, është bërë objekt denigrimi, nga disa media të cilat nuk thonë asnjë fjalë për Olta Xhaçkën, Ogerta Manastirliun, Mirela Kumbaron, Frida Krifcën e hajdute të tjera, që kanë vjedhur miliona Euro e pasuri të shumta nga shteti dhe taksat e qytetarëve.
Prandaj, lerini Parashqevinë të qetë në hallin që e ka zënë, madje nuk meritoni t’ia përmendni as emrin, nuk meritoni të dëgjoni as këngët e saj./Pamfleti