Sport

Përmbysi Partizanin, Ruçi diplomatik: I lumtur për golin, por më shumë për 3 pikët

Ka përfunduar ndeshja mes Partizanit dhe Bylisit e vlefshme për javën e 26-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi 2-3 në favor të miqve të cilët përmbysën në fund. Pas kësaj sfide ka folur “Lojtari i Ndeshjes”, Flamur Ruçi, i cili shënoi golin e 3-të.

“Të them të drejtën kisha besim që do bëja gol. Jam i lumtur për golin, por më shumë për fitoren e ekipit. Vinim nga disa humbje dhe shpresoj që të vazhdojmë me këtë ecuri. Unë do luaj gjithmonë si titullar apo zëvendësues, njësoj e jap kontributin si 2 minuta apo 10.

Dihet që kur luan ndaj Partizanit s’ka nevojë për motivim, por edhe trajneri ka meritat e veta. Mbijetesa? Siç e thashë kemi edhe 10 finale, të shikojmë veten tonë dhe marrim fitore, nuk merremi me ekipet e tjera”, është shprehur Ruçi.