Prej dy ditësh, qyteti i Durrësit, qendrat e banuara të njësive administrative, bizneset dhe tokat në të gjithë territorin e kësaj bashkie janë të përmbytura nga uji, ndërsa kryebashkiakja Emiriana Sako, e rehatuar në zyrën dhe vilën e saj, po fajëson reshjet e shiut.
E vërteta është se Durrësi vazhdon të jetë i përmbytur nga shiu, por shkaku nuk janë reshjet, por korrupsioni dhe vjedhjet që “bejleresha” e bashkisë, Emiriana Sako, i ka bërë fondeve të rrjetit të kullimit të ujërave mbi dhe nëntokësore.
Drejtuesit e SPAK-ut e dinë këtë të vërtetë, e shikojnë me sy dhe kanë shumë denoncime e kallëzime, që provojnë se gjatë pesë viteve të drejtimit të bashkisë nga Emiriana Sako, Durrësi është përmbytur edhe kur kanë rënë vetëm një orë reshje, madje edhe në stinën e verës.
Pas përmbytjes së madhe, SPAK duhej ta merrte të pandehur dhe ta arrestonte kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, mbështetur në provën se ajo ka financuar një tender prej 20 milionë eurosh për ndërtimin e hidrovorit të ri, i cili nuk funksionon.
Nuk funksionon, sepse investimi nuk është bërë sipas projektit, ngaqë milionat janë vjedhur, në një pazar mes kryebashkiakes Emiriana Sako, që firmosi tenderin si autoritet kontraktor, dhe kompanisë private, duke e marrë në dorëzim me letra false, sikur investimi ishte kryer dhe sikur objekti funksiononte.
Provë tjetër janë 18.7 milionë euro, që kryebashkiakja Emiriana Sako ka tenderuar dhe dhënë gjatë pesë viteve në detyrë, për kolektorët dhe rrjetin e ujërave të zeza dhe të bardha, si dhe kanalizimet mbitokësore në qytetin e Durrësit dhe njësitë administrative.
Por reshjet e fundit treguan se edhe ky rrjet është jashtë funksionit dhe në disa zona mungon fare, sepse investimet nuk janë bërë dhe milionat janë vjedhur përmes raporteve false të mbikëqyrjes së punimeve dhe marrjes në dorëzim, pa u kryer investimet e plota sipas projekteve.
Provë tjetër janë tenderimet prej rreth 220 milionë eurosh, të bëra çdo vit me urdhër të Emiriana Sakos, për pastrimin e pusetave të qytetit dhe njësive administrative, por edhe këto reshje treguan se ato janë jashtë funksionit.
Prej pesë vitesh në krye të Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako është marrë vetëm me pazare tenderësh, leje ndërtimi, leje plazhesh, kontrata qiraje, favorizime biznesesh dhe pazare me ministra e drejtorë, për t’i dhënë miliona euro kompanisë së familjes së saj që shet dhe jep makina me qira institucioneve.
Një motiv më tepër që SPAK ta marrë të pandehur kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, për shkaktimin e kësaj përmbytjeje, është fakti se prej muajit maj 2024 ajo është nën hetim për tenderë, leje ndërtimi dhe fonde rindërtimi, ndërsa në muajin nëntor 2025, BKH i sekuestroi telefonin, kompjuterat e saj dhe të disa drejtorëve të bashkisë.
Përmbytja e radhës, e shkaktuar nga vjedhja e fondeve të hidrovorit, kolektorëve dhe rrjetit të kanalizimeve, provon akuzat për të cilat SPAK po e heton prej një viti e gjysmë, por ndërkohë e lë të lirë të vjedhë dhe të shkaktojë dëme për qytetin, banorët dhe bizneset./Pamfleti