Politikë

Përplasjet mes Salianjit dhe Berishës, Alimehmeti: Kam ndërhyrë për t’i pajtuar

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti ka folur lidhur me përplasjet e Salianjit dhe Berishës.

Ai është shprehur se ka diskutuar me kreun e PD-së, në mënyrë që ky i fundit ‘të shkrijë akullin’ me Ervin Salianjin.

Alimehmeti deklaroi në “A2 CNN” se ka bërë përherë rolin e negociatorit mes Berishës dhe Salianjit, me qëllim gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes tyre, pas akuzave që ata kanë hedhur ndaj njëri-tjetrit.

Po ashtu, Alimehmeti shtoi se rolin e negociatorit e ka bërë me çdo faktor opozitar, me qëllim gjetjen e një emëruesi të përbashkët për rrëzimin e kryeministrit Rama nga pushteti.

Kujtojmë se pasi Ervin Salianji nisi ‘foltoret’ me qytetarët, ka pasur një përplasje të vazhdueshme mes tij dhe kryedemokratit Sali Berisha.

Pjesë nga biseda në studio:

Muça: Nëse mund të na thuash, a keni komunikuar me doktorin që ta relaksoni këtë situatë që të mos përjashtohen njerëz si Salianji që në finale mbledh njerëz dhe demokratë?

Alimehmeti: Po, patjetër. Ky është qëndrimi im dhe ky do jetë gjithmonë. Kjo ka ndodhur vazhdimisht, nuk është diçka që ndodhi sot. Në mënyrë të vazhdueshme unë këtë punë kam bërë. Kjo është detyra ime, që gjithkënd që mundem ta afroj brenda një emëruesi të përbashkët për rrëzimin e Edi Ramës një orë e më parë.