Aktualitet

Pezullimi i vizave të emigracionit, Ambasada Amerikane: Qytetarët që nuk do lejohen të hyjnë në SHBA

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar ditën e djeshme (14 Janar )se duke filluar nga data 21 janar 2026, do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 85 vendeve të caktuara, përfshirë Shqipërinë.

Ky vendim vjen si pjesë e politikave të administratës për të garantuar që emigrantët të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë një barrë për amerikanët.

Për këtë njoftim ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka dhënë detajet se kush janë kategoritë që preken nga ky vendim i administratës së Trump.

“Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të listuara. Kjo përfshin edhe Shqipërinë. Nuk ka asnjë ndryshim në vizat turistike apo jo-emigruese, të cilat vazhdojnë të lëshohen normalisht”.

Ambasada shprehet se Presidenti Trump ka theksuar rëndësinë e vetë-mjaftueshmërisë financiare të emigrantëve, duke nënvizuar se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Ambasada Amerikane sqaron se pezullimi i vizave ka për qëllim të rishikojë politikat dhe rregulloret që lidhen me përdorimin e përfitimeve nga emigrantët dhe të sigurojë që aplikantët nga vendet me rrezik të lartë të mos konsiderohen barrë për qeverinë amerikane.

Në listën e shteteve të prekura përfshihen, ndër të tjera: Afganistani, Shqipëria, Algjeria, Armenia, Azerbajxhani, Bangladeshi, Bjellorusia, Bosnje e Hercegovina, Brazili, Irani, Iraku, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rusia, Siria dhe Jemeni. Lista e plotë përfshin gjithsej 85 vende nga të gjitha kontinentet.

Ambasada dhe Departamenti i Shtetit kanë dhënë sqarime të qarta për aplikantët. “Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet dhe të marrin pjesë në intervista, por asnjë vizë nuk do të lëshohet gjatë kësaj periudhe pezullimi. Shtetasit me dy shtetësi që aplikojnë me pasaportë të një vendi që nuk është në listë përjashtohen nga ky pezullim”, thuhet në reagim.