Për të ndjekur nga afër nxehmjen e Elbasanit pat zbritur në pankinë edhe sulmuesi Arsen Lleshi, i cili u dëmtua në ndeshjen me Dinamon. Të gjithë shokët e skuadrës, gjatë kohës që u futën në dhomat e zhveshjes shkuan edhe e përqafuan njëri pas tjetrit.
– Gjatë kohës që Laçi po kryente nxehmjen, një person i tërheq vëmendjen nga tribuna trajnerit Moriero dhe shkon të bisedojë për pak çaste me të.
– Moriero lë pankinën e tij para startit të sfidës dhe shkon të takojë kolegun e Elbasanit, Gvozdenoviç.
– Ibrahim ankohet tek arbitri që në minutën e parë, për një faull që ka pretenduar në dëm të tij, por që nuk është akorduar nga kryesori.
– Gjatë pushimit lojtarët e stolit po bënin nxemjen dhe menjëherë tifozët e Elbasanit nisën të thërrisnin emrin e Lajthisë. Ky i fundit ia kthen me një përshëndetje me dorë.
– Melo rrëzohet në fushë, ndërsa Abalora lë portën dhe shkon në mesin e fushës për ta nxjerrë jashtë. Ka acarim mes tyre, ndërhyn arbitri.
– Në fund skuadra e Elbasanit shkon tek tifozët, por shumë shpejt portieri Abalora largohet nga aty, ndërsa pjesa tjetër qëndron. Mesa duket, portieri ka shkëmbyer disa fjalë me këta të fundit dhe është larguar.