Aktualitet

Pjesë e grupit që zhvasnin miliona përmes “Call Center”, GJKKO cakton masat e sigurisë për 8 të arrestuarit

GJKKO ka caktuar masat e sigurisë për 8 të arrestuarit gjatë aksionit të gjerë të SPAK dhe BKH kundër një call center-i të dyshuar për mashtrime financiare, në një nga kullat e Tiranës.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 persona të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.

Ndërkohë për dy të tjerë, GJKKO ka vendosur masën e “arrestit me burg” me afat 20-ditor, në funksion të vijimit të hetimeve dhe verifikimit të rolit të tyre në skemën e mashtrimit.

Emrat e të arrestuarve: 

Remir Gjoligaj- arrest me burg

Endri Gjata- arrest me burg

David Qerimi- arrest me burg

Elis Merkaj- arreat me burg

Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë

Odeas Kuqi- arrest me burg me afat 20 ditë

Hysen Xhepexhiu- arrest me burg

Klaudio Kaçupi – arrest me burg

Si u zbulua grupi?

Hetimet nisën më datë 9 janar pasi në Byronë Kombëtare të Hetimit u paraqitën disa gazetarë italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, të cilët gjatë një investigimi kishin identifikuar një call center në Tiranë që mashtronte italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha të ndryshme.

Drejtuesit e aktivitetit kriminal kishin ngritur një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.

Po ashtu, për shkak të njoftimit nga ana e këtyre të fundit, brenda natës është boshatisur ambienti ku ishte ngritur call center-i, për ta zhvendosur në një godinë tjetër. Por gjithçka u zbulua nga hetimet, duke goditur grupin në fjalë.