Kronikë

Plagosja e 15-vjeçarit në Maliq, flet nëna e autorit: Më tha do iki të luaj me shokët

Nëna e 14-vjeçarit i cili plagosi me thikë një të mitur 15-vjeç, ka folur lidhur me ngjarjen e rëndë në Korçë. Dy të miturit u konfliktuan në Maliq, ndërsa njëri prej tyre mbeti i plagosur me thikë.

Ngjarja ndodhi në fshatin Sheqeras, ndërsa mësohet se 15-vjeçari po merr mjekim në spital, jashtë rezikut për jetën.

Të miturit janë zënë për motive të dobëta, ndërsa nuk ka qenë hera e parë që konfliktoheshin mes njëri tjetrit. Sipas informacioneve, 14-vjeçari e ka plagosur me thikë në një rrugicë në hyrje të fshatit Sheqeras. Autori është kapur nga policia, ndërsa ka deklaruar fillimisht se 15-vjeçari e ngacmonte herë pas here me fjalë e ky është motivi i sherrit. I plagosuri ka marrë goditje me thikë në pjesën e barkut dhe të shpatullës, por sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nëna e autorit të plagosjes, ka deklaruar se nuk e dinte që djali do të kryente këtë veprim. Nëna e 14-vjeçari shprehet se nuk ka dijeni nëse thikën që plagosi të miturin e mori në shtëpi. Çelnike Plaka tha gjithashtu se 15-vjeçari e bullizonte djalin e saj.

“Nuk e dija se isha në shpi, sa dola te rruga ma thanë që është zënë. Mora vesh që është zënë me thikë, por për djalin nuk e di se si është tani. Ziheshin shumë me atë djalin, dilnin me shokët por ziheshin shumë, kishte shumë debate me atë djalin. Ai e tallte djalin.

Ai ka folur me familjen, por prapë janë zënë sot. Familja na ka thënë nuk do keni asnjë grindje, mos u shqetësoni. Ne njihemi si familje, thanë nuk do keni më shqetësime, por prapë u zunë sot.

Në mëngjes djali ishte në shkollë. Rreth orës 2 do ketë qenë kur erdhi. Unë nuk e pashë nëse mori gjë nga shtëpia, thjesht kur më thanë që është zënë me thika.

Ishte shumë i shqetësuar. Në atë moment erdhi dhe policia dhe thanë që duhet të gjejmë thikën. Nuk erdhi në shtëpi direkt pas konfliktit, erdhi më pas. Ishte te gjyshja, më pas erdhi tek unë në momentin që erdhi edhe policia. Në ato momente policia e mori në pyetje dhe e mori me vete, tha duhet të gjejmë edhe thikën. Ai tha se ishte një thikë e vogël, nuk më tha ku e kishte marrë. I tha policisë: ishte një thikë e vogël, e hodha se u frikësova.

Me shokët e klasës shkon mirë, me një që ka pasur debat e kanë zgjidhur. Në shkollë shkon rregullisht. Nuk kam mundur të flas me familjen e djalit. Do i thosha familjes së djalit të qetësoheshim dhe ta zgjidhnim këtë problem se janë fëmijë dhe do shkonin shumë gjëra më keq”, u shpreh Çelnike Plaka për “News 24”.