Aktualitet

Plazhi publik i Golemit “i privatizuar” me çadra e zinxhirë, nuk gjen vend ku të ulesh

Një qytetare ka denoncuar në redaksinë tonë një problem që po përsëritet në plazhin publik të Golemit, ku hapësirat publike zihen nga persona që vendosin çadra, shezllone dhe karrige që në orët e para të mëngjesit, duke i lënë aty për ditë me radhë.

Sipas denoncueses, disa prej tyre i lidhin çadrat edhe me zinxhirë, në mënyrë që të mos lëvizen nga askush, duke i trajtuar hapësirat publike si pronë private.

Qytetarja tregon se fundjavën e kaluar, gjatë pushimeve në Golem, nuk arriti të gjente asnjë vend për t’u vendosur me familjen, pavarësisht se zgjodhi një plazh publik.

“U mërzita jashtëzakonisht shumë. Edhe një hapësirë që është publike po zaptohet nga njerëzit sikur ta kenë pronën e tyre, ndërsa pushuesit e tjerë mbeten pa vend,” shprehet ajo.

Qytetarja u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë për të ndalur këtë praktikë, duke garantuar që plazhet publike të mbeten të aksesueshme për të gjithë qytetarët dhe të mos lejohet zaptimi i tyre nga individë të ndryshëm.

Denoncimi i qytetares:

Përshëndetje Jeta Osh Qejf, Dua të denoncoj një problem që po ndodh në plazhin publik të Golemit.

Shumë persona e kanë privatizuar hapësirën publike duke vendosur çadra, shezllone dhe karrige që në mëngjes, madje i lidhin edhe me zinxhirë që të mos i lëvizë askush. Kështu zënë vende për ditë të tëra, ndërsa qytetarët e tjerë që vijnë në plazh nuk gjejnë ku të vendosen, edhe pse plazhi është publik dhe duhet të jetë i lirë për të gjithë. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë dhe të mos lejojnë zaptimin e hapësirave publike. Nuk është normale që një pjesë e njerëzve ta trajtojnë plazhin publik si pronë private, ndërsa familjet dhe pushuesit e tjerë të mbeten pa vend.

Ju lutem publikojeni këtë denoncim që ky problem të marrë vëmendjen e duhur. Faleminderit!

Isha me pushim ne fundjave dhe nuk kisha vend ku te vendosesha pasi dhe dicka qe esht publike e zaptojne njerzit sikur ta ken pronen e tyre dhe u merzita jashtzakonisht shume