Sport

“Po e marr veten nga dëmtimi, jam gati për 10 ditë”. Batha: Nuk na falet dështimi, Flamurtari ngjitet në Superiore

Idriz Batha beson te cilësia dhe fortësia e Flamurtarit, si dhe realizimi i objektivit madhor. 32-vjeçari nga Gjirokastra gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, thekson se të gjithë janë të angazhuar për të dhënë maksimumin. Batha mungon prej disa javësh për shkak të një dëmtimi, por thotë se po rikuperohet dhe brenda 10 ditëve do të jetë gati.

“Situata në skuadër është pozitive dhe shumë e mirë. Edhe afrimet që presidenca ka bërë kohët e fundit janë cilësore dhe po përshtaten shumë mirë. Sigurisht, nuk mund ta quajmë fazë përgatitore atë që kaluam pasi koha ishte shumë e shkurtër, por stërvitja nuk është ndaluar aspak. Ekipi është në gjendje të mirë dhe jemi të gjithë të angazhuar dhe të mobilizuar për të bërë më të mirën tonë. Të gjithë lojtarët janë me eksperiencë dhe në këto kushte na duhet që të bëjmë maksimumin si ekip për të arritur objektivin që kemi. Edhe blerjet që kanë ardhur në skuadër janë shumë cilësore.

Ekipi po punon mjaft mirë dhe fitorja me Korabin tregoi formën që po kalon Flamurtari. Unë i shoh lojtarët të gjithë të mobilizuar dhe të përqendruar te puna. Edhe unë tashmë jam futur dhe po stërvitem me skuadrën. Vij nga një dëmtim, por jam duke e marrë veten. Besoj se brenda 10 ditëve do kthehem për të vijuar punën me grupin dhe të jap maksimumin tim për këtë skuadër dhe për ta çuar së bashku me shokët aty ku e ka vendin“, shprehet fillimisht Batha.

OBJEKTIVI – Idriz Batha thekson, se Superiorja është një objektiv i arritshëm. Sipas tij, askush nuk mund të fshihet më pasi kaloi një kohë e gjatë që Flamurtari i mungon më të mirëve. “Nuk mund të fshihemi, pasi është viti i tretë apo i katër që nuk jemi mes më të mirëve në Superiore. Drejtuesit e klubit po punojnë dhe këtu po bëhen investime kolosale si në ndërtimin e skuadrës edhe në infrastrukturë. Na janë plotësuar të gjitha kushtet, pa përjashtim, dhe nuk na lejohet të jemi më në këto ujëra. Nuk na falet që Flamurtari të mos ngjitet në Superiore. Kjo skuadër i mungon elitës dhe unë jam shumë i bindur që do të rikthehet shumë shpejtë aty ku i takon, sepse janë të gjitha mundësitë. Edhe stafi teknik dhe futbollistët mendojnë vetë për këtë gjë“, shprehet gjirokastriti.

ATMOSFERA. Për Idriz Bathën, Vlora është një ambient i njohur, pasi ka qenë edhe më parë  këtu. “Ambienti këtu në Vlorë është njësoj,  sikundër ishte kur unë isha këtu disa vite më parë. Janë po të njëjtët njerëz që drejtojnë klubin dhe ata duan që këtë Flamurtar ta ngjisin sa më shpejt në elitë. Klima është pozitive, me njerëz serioz dhe korrekt në të gjitha drejtimet. Flamurtari është një klub i madh dhe me emër. Të gjithë ndihen shumë mirë këtu”, përfundon Batha.

3 mungesa për liqenorët

Flamurtari nis javën anti-Pogradec. Vlonjatët i pret një ndeshje e vështirë, por synojnë fitoren edhe në këtë transfertë. Edhe për ndeshjen e radhës, 3 mungesa do të jenë të sigurta. Alla dhe Batha, por edhe Telushi që ende nuk ka kapur formën nga një dëmtim që ka pasur. Telushi është duke u stërvitur i diferencuar nga grupi. Trajneri Andrea Agostineli ka nisur të studiojë kundërshtarin, duke parë pamje filmike por edhe studiuar elementët që kjo skuadër ka./Panorama Sport