Sport

Po punohet për një klub elite, drejtori Tragaj tregon tri prioritet e Vorës për 2025-ën

Vora e mbylli si kampion dimri pjesën e parë të kampionatit të Kategorisë së Parë. Kjo nuk është arritje rastësore, pasi klubi ka investuar shumë në sezonet e fundit, që kanë të bëjnë nga ngritja e një infrastrukturë bashkëkohore dhe një ekip konkurrues dhe pretendent për t’u ngjitur në Superiore.

Që në ditët e para të janarit, vorakët kanë shpallur zyrtarisht vendimet e këtij viti, të cilat bëhen të ditur për “Panorama Sport” nëpërmjet drejtorit sportiv, Bazjon Tragaj. “Gjatë vitit 2025, klubi i Vorës ka tre pikësynime madhore: E para, ngjitja e ekipit të parë në Superiore, që do të ishte një arritje historike për këtë klub me jetëgjatësi 35 vjeçare. Së dyti, ngjitja e ekipit U-19 si kampion nga Kategoria e Parë në Superiore. Së treti, përfundimi i punimeve për stadiumin “Vora”, me dy tribunat e mbetura të pa përfunduara, duke u bërë një stadium me standarde të UEFA-s e FIFA-s.

Vora vepron si një klub profesionist, mbi bazën e prodhimit të lojtarëve të saj si dhe të merkatos. Ne synojmë që nga skuadra U-19 të dalin talentet për ekipin e parë. Synimet e skuadrës së parë të Vorës ne i kemi shpallur që në sezonin e kaluar, kur u afruam me elitën, ndonëse mbetëm një hap larg. Sigurisht, përvoja ishte e pamjaftueshme vjet dhe infrastruktura gjithashtu për të qenë me të vërtetë një skuadër elitare. Rruga e nisur drejt Superiores tashmë është shtruar dhe është gati që sezonin e ardhshëm Vora të konkurrojë denjësisht me klubet e tjera elitare. Pikësynim për Vorën është kompletimi i infrastrukturës sportive, me një stadium me kapacitet rreth 5 mijë vende.

Vendimet për këtë vepër madhore janë marrë dhe në mars pritet të nisin punimet e ndërtimit të dy tribunave, qendrore dhe jugore. Tribuna qendrore do të jetë me të gjitha standardet europiane, pa harruar që ky stadium do të ketë edhe ndriçimin, që ndeshjet e Superiores të zhvillohen edhe gjatë orëve të darkës. Gjithashtu, do të përfundojë edhe tribuna tjetër anësore. Në përfundim të punimeve do të kemi një stadium modern, që u përgjigjet parametrave të kohës”.