Albian Hajdari është një nga liderët e Hofenheimit në mbrojtje. Mbrojtësi 22-vjeçar ka folur së fundmi për kanalin e klubit në Bundesligë.
Ndër të tjera kujton edhe eksperiencën te Juventusi ku pati mundësinë që të takojë Kristiano Ronaldon. Asokohe nuk e provoi asnjëherë ndjesinë e ndeshjes me ekipin e parë të Juves. Kujtojmë se Hajdari vendosi të largohet nga Zvicra vitin e kaluar, për të përfaqësuar Kosovën.
“Juventusi? Nga perspektiva sportive, nuk ishte përvojë e mirë për mua. Por ishte shumë e rëndësishme për mua si person. Isha vetëm 18-vjeçar. Ishte vend krejtësisht tjetër, kulturë tjetër, gjuhë e re, larg prej familjes. Nuk i kisha shokët më përreth. Nëse e shikoj në retrospektivë, më ka ndihmuar. Por si adoleshent nuk ishte e lehtë.
Si 18-vjeçar, ju vetëm shikoni dhe vështirë që merrni guximin të flisni me yjet e nivelit botërore. Por ata më kanë ndihmuar shumë, si person dhe si futbollist.
Ronaldo? Isha me shumë fat. Mund të them se isha bashkëlojtar i tij, ndonëse për kohë shumë të shkurtër. Kemi pasur gjithnjë seanca në palestër para stërvitjeve, ku në të shumtën e rasteve ishim në biçikleta në të njëjtën kohë. Kështu që çdo mëngjes kemi folur rreth 20 minuta për gjëra të ndryshme. Ky ishte privilegj.
Ishte me këmbë në tokë dhe i sinqertë. Dhe ai më dha një këshillë. Më tha se duhet që të koncentrohem në futboll, pasi mund të luaj për kohë të caktuar. Dhe se duhet ta shfrytëzoj këtë kohë që të fokusohem te vetja ime. Njerëzit dhe shokët vijnë e shkojnë, kështu që gjëja më e rëndësishme është familja”, u shpreh Hajdari ndër të tjera.