Kronikë

“Policia e di kush janë autorët”, Artan Hoxha flet për atentatin në Rinas: Edhe po të kishte efektivë në ato momente, s’reagonin dot!

Gazetari Artan Hoxha duke folur për atentatin e ndodhur në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Mustafa Sheqeri, tha se policia e ka idenë se kush janë atentatorët. Sipas tij, policia nuk arrin dot t’i kapë pasi ata mbrohen nga një grup i fuqishëm që u jep atyre akses dhe informacion mbi çdo lëvizje.

Sipas Hoxhës, ky fakt vërtetohet edhe vetë nga mënyra e ekzekutimit, ku kanë pasur info të detajuara mbi lëvizjen e viktimës. Ai theksoi gjithashtu se edhe nëse do të kishte patrulla policie në atë vend, reagimi do të ishte i vështirë, pasi nuk i bën dot ballë një sulmi të tillë.

“Unë nuk besoj që policia nuk e ka haberin se kush janë këta. E di shumë mirë që ata e dinë. Por deri tani nuk kanë arritur dot t’i kapin, sepse thashë ata nuk janë të atashuar pranë një grupi të mirëfilltë. Ata në vetvete janë kthyer në një grup vetë, por që janë në dispozicion, ose që janë nën mbrojtje dhe nën, mbështetjen me informacion, me mjete logjistike. Shiko, vetëm ajo mënyra se si ata reagojnë. Ajo së pari do informacion. Ke parasysh dhe Renea kur del ka nevojë për rikonjicion, pra informacion paraprak. Renea është skuadër, është njësi ekzekutimi, nuk është njësi e mbledhjes së informacionit. Pra ata i kanë të gjitha brenda.

Kush e dinte që avioni i cili u shty ditën e parë, do nisej fiks në atë orë nga Barcelona ditën e dytë? Dhe e dini që sa herë një avion niset nga një destinacion, në rastin konkret nga Barcelona, në momentin që ai ngrihet në ajër, lista me pasagjerët që kanë hipur në avion i njoftohet aeroportit pritës, pra Rinasit. Dhe nga Rinasi është marrë vesh që këta dy persona kanë hipur dhe janë pikërisht në këtë avion. Tjetra, viktimat kanë patur makinën e parkuar në parking dhe kanë marrë makinën pra. Ata kanë patur dhe një objekt tjetër i cili i identifikonte. Dhe kjo gjë ka bërë që ata të kenë qenë kollaj të identifikueshëm. Plus që kur kanë zbritur në Rinas, ata nuk kanë patur shoqërues, gjë që do ta bënte pak më të vështirë goditjen e tyre. Edhe pse unë thashë që kjo lloj, kjo skuadër pushkatimi nuk është se trembet shumë dhe nuk është se e ka frikën shumë reagimit të policisë. Sepse nuk ka polic, të jemi korrekt, asnjë polic i rendit, asnjë polic i qarkullimit nuk mund të reagojë përballë një fuqie zjarri si ajo që ata kishin”, tha Hoxha.