Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, në një konferencë për mediat këtë të premte komentoi edhe vendimin e Policisë së Shtetit se nuk merr përsipër tubimin e Partisë Demokratike, i cili do të zhvillohet sot përpara Kryeministrisë. Gjatë fjalës së saj, Koçiu u shpreh se e drejta për të protestuar dhe manifestuar është e kujtdo, teksa paralajmëroi se të gjithë ata që guxojnë të kryejnë akte të dhunshme do të përgjigjen para ligjit.
Gjithashtu, ministrja theksoi se ky veprim nga ana e policisë lidhet drejtpërdrejt me protestën e kaluar, duke iu referuar dhunës që pësuan efektivët e policisë.
“Kjo është një procedurë që lidhet drejtpërdrejt me protestat e kaluara dhe dhunën që ka pasur gjatë atyre protestave. E drejta për t’u tubuar dhe manifestuar është e kujtdo. Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe për këtë është dhe do të jetë aty. Protesta është e drejtë kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore.
Si të jetë një protestë me leje, si pa leje, kushdo që kryen një veprim që dënohet penalisht, padyshim që prokuroria e bën klasifikimin e veprës, në varësi të veprimit që kryhet. Sa i përket kush e ka bërë kërkesën, nuk e di, por patjetër Policia e Shtetit mund t’ju informojë”, u shpreh Koçiu.