Gazetarja Ola Xama, ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për procesin ndaj Veliajt dhe përgjimet e tij në paraburgimin e Durrësit.
Xama e konsideroi një skandal faktin që Veliaj u ka dhënë urdhër mediave, të sulmojnë prokurorët dhe gjyqtarët dhe se urdhrat e tij janë pasqyruar në media madje edhe në ato kombëtare.
“Se cilët janë urdhrat konkretisht që ka dhënë Veliaj, do të presim ta lexojmë në vendimin e arsyetuar të gjykatës. Por nga ajo që kemi lexuar në media, fushatat e dezinformimit ndaj prokurorëve dhe gjykatësit, por edhe familjarëve të tyre, kanë qenë të porositura për të intimiduar, mbase edhe shantazhuar njerëzit e drejtësisë.
Pyetja, pse e bëjnë këto media? A janë media që ndajnë të njëjtin këndvështrim me zotin Veliaj, se besojnë që është politikan i punës? Nuk besoj se është kjo arsye. Po të dimë kontekstin e disa lajmeve dhe se si i referohet disa gazetarëve, janë thjesht çirakë të listës së borderosë së pagesave të Veliajt, nga kompania Gogel e Arbër Veliajt. Në disa raste ata kanë dalë me figurën e tyre për ti thënë këto gjëra. Këtu janë bërë pjesë mediat kombëtare, janë frekuenca publike”, tha Xama.
“Një kompani me vlerë 50 mijë euro xhiro, Gogel e Arbën Veliajt, me xhiro modeste si fillim. Në vitin 2014 xhiro rritet, në 230 mijë euro. Për të arritur pastaj në 2023, me 8 milionë euro xhiro. Ka bërë 30 milionë euro xhiro dhe klientët kryesore janë kompania ONE, etj. Në ambjentet e kësaj kompanie SPAK ka ushtruar kontrolle disa javë më parë dhe po shihen se me çfarë çmimi janë paguar.
Një pyetje, si ka mundësi që të gjithë familjarët e politikanëve, sa herë hapin kompani janë të suksesshëm? Po të shohim, edhe kompania e Ajola Xoxës, po ashtu me xhiro të lartë. Klientët të gjithë të bashkisë së Tiranës. Edhe kompania e vjehrrës së Veliajt, me xhiro shumë të madhe. Gjithë fisi dhe të afërmit e këtij zyrtari bëhen të pasur dhe gjejnë lumturinë në realitetin shqiptar. E ka gabim SPAK këtu?”, tha ndër të tjera Xama.