Erzeni ka marrë një bonus psikologjik, siç ishte fitorja kundër Besës së Kavajës, një skuadër plot cilësi dhe pretendente. Ky bonus shpresohet që t’u vlejë shijakasve edhe në vijim. Kështu shprehet trajneri i Erzenit Ergys Luga.
Në intervistën për “Panorama Sport”, ai është i bindur se ekipi do të ketë vazhdimësi dhe lojtarët duhet të kenë të njëjtën qasje në fushë si me kavajasit.
Spektakël dhe përmbysje. Erzeni merr fitoren e parë, komenti juaj?
Ishte një transfertë shumë e vështirë. U përballëm me një ekip super të investuar dhe me lojtarë me shumë eksperiencë. Këtë fitore, unë ia dedikoj lojtarëve për sakrificën që po bëjnë. Janë djem të rinj dhe të etur për t’u afirmuar.
Sa e vështirë ishte ta merrnit atë 3 pikësh?
E kishim përgatitur këtë ndeshje në detaje. Madje, edhe kur luajtëm në Kupë kundër Dinamos bëra shumë zëvendësime, sepse e dija që do më duheshin për ndeshjen me Besën. I dhamë epërsi territori Besës. U munduam të shfrytëzonim daljet me stacione dhe me aftësitë dribluese të lojtarëve tanë që të dilnim në superioritet numerik çka na rezultoi efektiv. Skuadra në tërësi bëri ndeshje për manual futbolli.
Brenda 7 ditëve keni kryer 3 ndeshje, mos ka qenë një javë shumë e ngarkuar për futbollistët?
Është e vërtetë. Ka qenë ngarkesë shumë e madhe. Por janë djem të rinj dhe rigjenerimin e muskujve e kanë të shpejtë. Kjo gjë me ngroh. Ata kanë nevojë të rriten dhe këto ndeshje i bëjnë shumë mirë. Në mesjavë kemi ndeshje miqësore me Ferizajn e Kosovës, eksperiencë tjetër për ne. Unë e di çfarë kontingjenti kam në skuadër. Mjafton fakti që më ndjekin, por kjo ka të bëjë shumë për një trajner dhe në tërësi për skuadrën time.
Keni pasur shumë besim dhe ndërkohë keni deklaruar se gjatë javës do të merrni pikë kundër Besës. Ka ndryshuar gjë në ekip?
Është fitore për bonus psikologjik. Kjo skuadër di të fitojë, thjesht ka qenë e pafat. Gjithsesi nuk duhet të entuziazmohemi shumë. Kjo duhet të na vlejë për vazhdimësinë, ndërkohë që duhet të bëjmë shumë punë psikologjike.
Në fund të javës do të prisni në shtëpi Burrelin, një takim mjaft i rëndësishëm, si e shihni?
Matjanët kanë një ekip të fortë. Uroj që ekipi të ketë të njëjtin motivim dhe vendosmëri si ndeshjen më Besën. Përveç Ardit Durakut, skuadra është e plotë. Lojtarët nuk janë të ngarkuar me kartonë. Në këtë drejtim, së bashku me stafin kemi punuar me lojtarët.
Besoni se do të kthehen tifozët në stadium?
Megjithëse në pakicë, tifozët kanë ardhur na kanë ndjekur edhe në momente të vështira. Ata janë lojtari ynë i dymbëdhjetë.