Politikë

Pritet të drejtojë DVP e Tiranës, Blushi sulmon Vilson Balën: Drejtoi operacionin kriminal të rrëmbimit banditesk të Metës

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi në një intervistë në Ora News u shpreh se Vilson Bala që pritet të emërohet si drejtor i policisë së Tiranës, është drejtuesi i operacionit për arrestimin e ish presidentit Ilir Meta.

Blushi theksoi se Meta edhe pse i izoluar vazhdon të jetë presidenti i PL-së dhe të kryejë funksionet e tij.

Blushi: Bëhet fjalë për drejtuesin e operacionit kriminal, të paligjshëm, banditesk, terrorist të rrëmbimit të presidentit të PL-së në datën 21 tetor 2024 të faktuar sipas të gjithave jo vetëm videove të publikuara por edhe dëshmitarëve okularë por sidomos mbështetur edhe mbi vetë përgjigjen në fakt pa përgjigje të policisë lidhur me këtë aksion terrorist.

U vërtetua katërcipërisht shkelja flagrante e çdo lloj ligji, e kodit të procedurës penale, e Kushtetutës, e Konventës Kombëtare të të Drejtave të Njeriut sa i përket këtij operacioni kriminal.

Ky narkopolic i cili ka drejtuar të gjithë këtë operacion kriminal ju mendoni se rastësisht është vendosur i pari në listën e kandidatëve për drejtor policie në qarqet kryesore të vendit.

Garat në Rilindje janë thjesht fiktivitete sepse të tilla emërime nuk mbështeten as mbi meritokracinë dhe as mbi transparencën.

Por vetëm mbi një fakt të thjeshtë që sa më servil dhe sa më i përulur dhe sidomos për të kryer të tilla shërbime kriminale ndaj Edi Ramës të jesh aq më lart gradohesh në policinë e shtetit.

Dhe jo më kot ky individ ka marrë përsipër të drejtojë këtë operacion kriminal sepse i është premtuar posti i rëndësishëm i drejtorit të policisë së Tiranës.

Si ka mundësi që Vilson Bala që pretendon që të drejtojë Tiranën ka dhjetëra e qindra denoncime për lidhjet e tmerrshme me bandat më të rrezikshme të Shkodrës.

Partia drejtohet nga presidenti Ilir Meta.

Edhe pse i ndaluar në një masë ekstreme si pasojë e një vendimi politik të diktuar edhe nga mafia ndërkombëtare ndodhet sot i izoluar por kjo nuk e pengon presidentin Meta që të kryejë funksionet e tij sa i përket si president të drejtojë PL-në.

PL është në një gjendje të jashtëzakonshme dhe në një situatë lufte frontale me narko regjimin.