Kulturë

Prof. Josif Papagjoni: Zëri kumbues i Fatos Selës, Kujtim Spahivogli, Pëllumb Kulla dhe Teatri i Fierit

Prof. Josif Papagjoni: Zëri kumbues i Fatos Selës, Kujtim Spahivogli, Pëllumb Kulla dhe Teatri i Fierit

…Kur erdha në dyert dhe studiot e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve gjithkush nga ne, si rishtarë të artit dramatik, nisi të dëshmonte natyrën e tij të veçantë, me demek edhe atë origjinalitet e mburrje prej rioshësh paksa fantaste, “artiste” të pritshëm me kokat mbi re, që nesër me germa zjarri do ta skalisnim emrin dhe portretin tonë në pëlhurën e teatrit dhe filmit shqiptar! Eh, çfarëdeliri i ëmbël dhe budalla i moshës së ëndrrës! Dhe në ata muajt e parë të njohjes, Fatos Sela që ne e njihnim si Xhemal Sela, djalë tiranas ardhur nga shtëpitë e ulëta të rrugës Bardhyl, mbante veshur njëfësh-fëshe blu. Me linte mbresë zëri i tij bas, i rrumbullakosur, i qartë, kumbues.

Asnjë s’e kishte atë zë. Ne konviktorët rrinim më shumë bashkë, na lidhte rruga Konvikt-Mence-Institut, socialiteti që krijohej vetiu ditë natë, vaktet e të ngrënit, dhomat ku rrinim e flinim, gallata, rrengjet, një menu e tërë marrëzish të bukura e çartjesh rinore. Fatosi si tiranas që ishte, sigurisht shkonte në shtëpi, pak qe me ne. Dukej si më i veçuar. Por kishte një krenari e vetëbesim të shprehur. Në Institut nuk ka qenë ndër miqtë e mi të ngushtë, por them se ishte paksa i vetvetishëm për arsyet që thashë. Në dukje ishte i tillë, sepse thelbin e kishte tjetër farë, prej një urtani, njeriu tejet të butë dhe pranues, që i shmangej sherreve. Si aktor, në ato vite, më ngjante si i jashtëm, paksa enfatik, i “fryrë”, që kërkonte të dukej, të luante me veten, ta “shiste” rolin, shkurt asaj që ne i themi “pozim”…

Po kush ia hoqi Fatos Selës këtë sëmundje që aktrimi e bart në vetvete, pra le ta quajmë diçka gjenetike apo ontologjike?!Këtë ia hoqën dy vetë dhe një i tretë, institucion. I pari ishte pedagogu ynë i rrallë Kujtim Spahivogli; ishim me shumë fat që e patëm atë, i dyti qe Pëllumb Kulla si regjisor i Teatrit te Fierit, ku Fatosi punoi 20 vjet dhe u bë lider i tij, i treti ishte teatri, ai i Fierit i pari dhe më pas Teatri Kombëtar…

…Nga i pari, Kujtim Spahivogli, në vitin e parë kur bënim etyde, mbaj mend këshillat që ai i jepte. Kujtoj kur Fatosi solli një etyd nga filmi “Pagesa e frikës”, ku në rolin kryesor luante aktori i famshëm francez Ive Montani. Kush e kujton atë film të rinisë sonë, kishte një moment dramatik aty, kur Montani duhet të hapte një bidon të mbushur me nitroglicerinë dhe ta derdhte në të çarën e një shkëmbi, që pastaj ta plaste si një minë super të fuqishme, që rruga e re të lirohej. Fatosi e imitonte këtë gjendje tejet të nderuar të personazhit midis jetës dhe vdekjes.

Kujtimi e provokonte duke i rënë tavolinës dhe bërtiste: Plasiiiii! Fatosi e ribënte edhe një herë veprimin psikik tejet të tensionuar… edhe një herë… edhe njëherë… rrudhat e fytyrës i venin e i vinin, por Kujtimi nuk kënaqej. Mos ma trego mua, mor djalë, por vetes tënde! Je ti aty, jo Iv Montani, a merr vesh?! Të plasi në dorë, e kupton? Dhe Fatosi kuptoi ABC e aktrimit: Vërtetësinë. Vetja që futej në rrethanën e rolit dhe roli që futej në psikiken dhe përjetimin e aktorit si vetvete. Kjo ishte Alfa e artit tonë dhe atë e mësoi nga Kujtimi, duke e flakur tej “xhaketën” e shitjes së vetvetes, shitjes së rolit dhe duke veshur xhaketën tjetër, atë të rolit si të tillë, atë kur aktori bëhet ROL.

Dhe kjo braktisje që ai i bëri sëmundjes sonë foshnjore si studentë, “të shtirurit teatral”, dhe riardhjes tek e vërteta e vetvetes, u duk posaçërisht në vitin e dytë në fragmentin mjaft të bukur të dy gjeneralëve që ai luajti tok me Agim Qirjaqin nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të IsmailKadaresë. Aty shkëlqeu. Stofi prej aktori u përshkëndit mbi shpirtin e tij…

…Pastaj erdhi Pëllumb Kulla. Unë njoh artin dhe regjinë e Pëllumbit, parimet e tij estetike, vërtetësinë, dhe e di se mendja e tij u shndërrua në një oferte artistike për të bashkuar dhuntitë e bukura e të lindura të Fatosit me vërtetësinë dhe spërndritjen aktoriale në shume role mbresëlënëse që luajti në Teatrin e Fierit, ku spikati me rolin e AvniRustemit te drama “Dy krisma në Paris”, më pas me Xhon Proktorin te “Shtrigat e Salemit” të Artur Milerit, më tutje me Serianin te “Gjëmimi i atij dimri”, “Kush e vrau, Kastinjin”, “Baladë për një grua” etj. I kishte hija fjala, vetëbesimi, fuqia. Kishte një foto gjeni që ta mblidhte syrin, mendjen dhe shpirtin si në grusht.

…Majën e arritur në skenën e Teatrit të Fierit ai e çoi me tej. U be aktori kryesor. Kishte aq shumë hir skenik. Sytë e tij kullonin një brengë e një trishtim të butë që mbërrinte gjer poshtë, te pjesa mistike, ku bulëzon humania, dhimbja, përhumbja, brenga e mbuluar, shushatja, ai shpirt i mërguar që shpesh na ikën prej vetes dhe burgoset thellë në qoshkat e errëta e plot lagështirë të frikërave tona. Psiqika e tij aktoriale formësohej. Ishte potent. Kurrë fjala nuk i ikte kot nga goja. Qe një kalorës që e mbante në galop personazhin e tij. Të imponohej. Këtë sy dhe atë psike aktoriale unë e kam parë në shfaqjet ku ai ishte parte-prim, si “Pamje nga ura”, “Portreti i DorianGrejit”, “Henriku IV”, portreti prej fisniku i IsmailQemalit e plot role të tjerë kryesorë.

Ne u bashkuam një copë rrugë edhe në Këshillin Artistik të Teatrit Kombëtar dhe aty pashënjë Fatos aq shpirtbutë, aq fisnik e tolerant, sa dhe një Fatos që me atë buzëqeshjen e tij linte të kuptohej mos aprovimi i shumë teksteve të dobët që përplaseshin te ky Këshill. Nuk kishte qejf të diskutonte për këtë apo atë vepër, autor, projekt regjisorial kur nuk i pëlqente. Thoshte një “jo” në fund dhe e mbyllte me kaq. Ishte artist, koleg, jo medoemos dhe “kritik”…

Ah, Fatos Sela! Nuk e di, por ti ishe, mbase aktori me i shquar, më i plotë i teatrit, ishte i prerë për teatër. Kursi ynë nxori dhe aktorë të shquar në nivel kombëtar si Agim Qirjaqi, që u bë edhe regjisor, drejtor dhe aktor i shquar i filmit, Bujar Lako një yll i kinematografisë sonë, Justina Aliaj një artiste shumëplanëshe, por dhe aktorë të tjerë të suksesshëm si Astrit Çerma, Pandi Siku, Mina Koxhaku, Piro Malaveci, Klaudeta Riza (Llogori), Pëllumb Deçolli, Paskal Prifti, regjisori i mirënjohur i filmit Esat Musliu, regjisori i shquar i Radio Tiranes XhelilAliu, dhe e mbyll këtu listën e aktorëve të talentuar që dolën nga kursi ynë.

Por siç e thashë Fatos, ti ishe dhe mbetet aktori më i shquar i TEATRIT që kursi ynë nxori, ishe dhe mbetet krenaria jonë. Syrin tënd të bukur, plot dritë e mirësi, ku shpirti dukej tejpërtej, edhe tani që po të shkruaj këtë “epifani shpirti” në 12 vjetët e ikjes tënde, unë e kam, ja këtu, përballë. Qofsh bukur aty ku je, në paqe, drite, miku im i ëmbël e modest i viteve kur ëndrrat na digjnin përbrenda, si në një vatër zjarri…