Politikë

“Profesorë të humbjes”, Salianji ‘thumbon’ Berishën: I fsheh fituesit, i ka alergji!

Demokrati Ervin Salianji ka drejtuar kritika ndaj lidershipit të Partisë Demokratike, duke e akuzuar se nuk po promovon individët dhe strukturat që kanë sjellë rezultate pozitive elektorale.

Salianji u ndal te situata e brendshme në PD pas zgjedhjeve të 11 majit 2025. Ai vlerësoi se drejtuesit kanë nisur të pranojnë humbjet, por sipas tij mungojnë zgjidhjet konkrete për ta kthyer partinë në një forcë konkurruese.

Sipas Salianjit, analiza e brendshme është përqendruar pothuajse tërësisht te dështimet, ndërsa fitoret në disa bashki nuk janë shqyrtuar. Ai theksoi se mungon një vlerësim i mënyrës se si janë arritur rezultatet pozitive dhe i faktorëve që kanë ndikuar në to, përfshirë organizimin në terren dhe mbështetjen e anëtarësisë.

“Së pari, deri në këtë fazë ka patur një reagim refraktar në PD, për të mos i pranuar problemet. Tani po pranohen, por nuk po jepen zgjidhje. PD ka nevojë për zgjidhje që të jetë një parti fituese. Duke nisur nga respektimi i anëtarëve, nga merita, nga marrja e vendimeve.

Analiza është kjo, hajde marrim analizën në 7 bashkitë fituese. Është një formë analize, analizë e fitoreve, pra si kemi fituar, si ia kemi dalë që të tejkalojmë deformimin e vullnetit të zgjedhësve që bën Edi Rama?

Por janë fshehur. E keni parë që i ka fshehur lidershipi i PD-së fituesit?! Ka një alergji ndaj fituesve në PD. Lidershipi i PD-së, disa ‘profesorë të humbjes’, i ka shmangur fituesit. Nuk promovohen, nuk merren si model.”, tha Salianji në Klan News.

Në këtë kontekst, Salianji pretendon se drejtimi i PD-së ka shmangur figurat që kanë dalë fituese, duke mos i marrë si shembull apo model për strukturat e tjera. Ai përmendi rastet e kandidatëve që kanë marrë rezultate të larta në primare ose në zgjedhjet parlamentare, por që, sipas tij, nuk kanë gjetur hapësirë në vendimmarrjen partiake.

Ish-deputeti vuri në dukje se në një parti opozitare, avancimi duhet të lidhet me aktivitetin publik, angazhimin në terren, profilin opozitar dhe mbështetjen reale elektorale. Sipas tij, këto kritere nuk po zbatohen në mënyrë të barabartë brenda PD-së.